Rikthehet Vetting-u/ 5 gjyqtarë e prokurorë përballen me KPA dhe KPK

Mos i humb

Komisionet e Vetting do të nisin punën prej datës 2 dhjetor, pas një pushimi disa ditor për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.

Pesë gjyqtarë dhe prokurorë, do të dalin para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë kësaj jave.

Në faqen e tij zyrtare të KPA bëhet e ditur se në datën 2 dhjetor ora 09:30, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Entela Prifti, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e KPA.

Po ashtu, kjo e fundit njofton se në ditën e mërkurë, më datë 04.12.2019, ora 10:00, do të gjykohet në seancë gjyqësore publike çështja që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Dollapaj.

Seanca dëgjimore do të zhvillojë edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku gjatë kësaj jave pritet të dalin para komisionit tre gjyqtarë dhe prokurorë.

Në njoftimin e tij KPK thuhet se zonja Iliriana Olldashi, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda do të dalë nesër në seancë dëgjimore në orën 14:30.

Po ashtu, në faqen e tij zyrtare Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se nesër ora 09:30 do të dalë në seancë dëgjimore zonja Doloreza Musabelliu, prokurore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.

Ndërkohë, sipas njoftimit të KPK, datë 3 dhjetor ora 13:00 do të dalë në seancë dëgjimore Fatri Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit