Rrëfimi i Farah Alhajeh: të fitosh një të drejtë europiane

Mos i humb

Një grua suedeze myslimane fitoi dëmshpërblim pasi intervista e saj e punës u ndërpre pasi ajo refuzoi një shtrëngim duarsh.

24-vjeçarja Farah Alhajeh kishte aplikuar për një punë si përkthyese kur ajo nuk pranoi të shtrëngonte dorën me intervistuesin për arsye fetare.

Ajo vendosi dorën mbi zemër si shenjë përshendetjeje në vend që të shtrëngonte dorën.

Gjykata suedeze e Punës vendosi që kompania kishte kryer diskriminim ndaj saj dhe urdhëroi pagesën e 40 mijë kronëve, mbi 4 mijë euro, si dëmshpërblim.

Muslimanët shmangin kontaktet fizike me anëtarët e gjinisë së kundërt, përveçse atyre në rrethin e ngushtë familjar.

Sidoqoftë, shtrëngimi i duarve është tradicional në disa vende europiane. Përveç kësaj, legjislacioni kundër diskriminimit mund të ndalojë kompanitë dhe trupat publike nga trajtimi i ndryshëm i personave për shkak të gjinisë.

Zyra e Avokatit të Popullit që përfaqësoi në gjykatë 24-vjeçaren, Alhajeh, tha se vendimi ka marrë në konsideratë “interesat e punëdhënësit, të drejtën individuale për integritet trupor dhe rëndësinë që shteti të ruajë mbrojtjen e lirive fetare”.

Po cilat ishin argumentet për këtë vendim?

Kompania e përkthimeve në qytetin e Alhajeh, Uppsala ka argumentuar se stafit të saj i kërkohet të trajtojë baraz burrat dhe gratë dhe nuk mund të lejonte që një anëtar i stafit të refuzojë një shtrëngim duarsh bazuar mbi gjininë.

Por, avokati kundër diskriminimit tha se ajo u përpoq të shmangte mërzitjen duke e vendosur dorën në zemër kur takon si gratë dhe burrat.

Gjykata suedeze e Punës vendosi që kompania ishte e justifikuar në kërkesën për trajtim të barabartë për të dyja gjinitë – por jo në kërkesën që kjo barazi të aplikohej vetëm në formën e një shtrëngimi duarsh.

Refuzimi i saj për t’i dhënë dorën intervistuesit mbi baza fetare mbrohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, tha gjykata, dhe politika e kompanisë që kërkon përshëndetje specifike është e dëmshme për muslimanët.

Gjykata po ashtu nuk ra dakord me pohimin e kompanisë që qasja e Alhajeh ndaj përshëndetjes do të shkaktonte një problem për komunikimin efektiv si përkthyese.

Sidoqoftë, gjykatësit ishin të ndarë për këtë çështje – tre prej tyre e mbështetën pretendimin e Alhajeh ndërsa dy të tjerë votuan kundër.

Çfarë tha Alhajeh?

Pas dhënis së vendimit, Alhajeh tha për BBC-në se ajo besonte se është e rëndësishme të mos dorëzohesh kurrë kur ke bindjen se ke të drejtë, edhe kur je anëtar i një grupi në minorancë.

“Unë besoj në Zot, gjë që është shumë e rrallë në Suedi… dhe unë duhet të jem në gjendje ta bëj këtë dhe të pranohem përsa kohë nuk lëndoj njeri”, tha ajo.

“Në vendin tim… nuk mund të trajtosh ndryshëm burrat dhe gratë. Unë e respektoj këtë. Kjo është arsyeja përse unë nuk kam kontakt fizik as me burrat dhe as me gratë. Mund të jetoj sipas rregullave të besimit tim dhe po ashtu, në të njëjtën kohë, të ndjek rregullat e vendit ku jetoj”, shtoi ajo.

Grindjet në Europë për një shtrëngim duarsh

Në vitin 2016 një shkollë suedeze vendosi të çlirojë dy djem myslimanë nga detyrimi për të shtrënguar duart me mësuesit burra dhe gra, pasi ata refuzuan t’i japin dorën një mësueseje gjë që shkaktoi konflikt dhe bëri që të pezullohej procesi i dhënies së shtetësisë për familjen.

Në prill, një gruaje algjeriane iu refuzua shtetësia franceze pasi refuzoi të shtrëngonte dorën me një zyrtar gjatë ceremonisë së shtetësisë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit