Rrëfimi i Theresa May: si më këshilloi Trump që të padis Bashkimin Europian

Mos i humb

 

Kryeministrja britanike, Theresa May nxjerr detajet e bisedës së saj me presidentin Donald Trump, duke thënë se ai e kishte këshilluar “të padiste BE-në” në vend që të negocionte me bllokun 27-anëtarësh. Këshilla është dhënë në një bisedë private me presidentin amerikan së cilës vetë Trump iu referua gjatë vizitës në Britani të premten.

Kryeministrja u pyet në një emision në BBC se cila ishte këshilla “brutale” për negociatat me BE-në për të cilën kishte folur Trump gjatë konferencës së tyre të përbashkët për mediat.

Duke e pohuar për herë të parë, May tha: “Ai më tha se duhet të padisja BE-në”. Pasi e kapi në befasi drejtuesin e emisionit, May përsëriti: “Të padis BE-në, dhe jo të hyj në negociata me ta, t’i padis”.

Kryeministrja me një buzëqeshje la të kuptohej se nuk e kishte marrë parasysh këshillën, duke thënë “në fakt, ne do të shkojmë në negociata me ta”. Këto komente mund të interpretohen si një “shitje” për presidentin i cili tashmë takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Të premten, Trump tha se i kishte thënë kryeministres May “një sugjerim, nuk do të thoja një këshillë”, për mënyrën sesi duheshin menaxhuar negociatat, pa treguar se për çfarë bëhej fjalë. “Mendoj se ajo e konsideroi atë shumë brutale, dhe kjo është Ok. Unë i dhashë një sugjerim, jo një këshillë. Mund ta kuptoj plotësisht përse ajo mendoi se ishte pak e ashpër”.

Intervista e May vjen në një moment të rrezikshëm politik për kryeministren, e cila po përballet me kërkesa për mocion votëbesimi mbi lidershipin e saj në partinë Konservatore dhe me perspektivën që Boris Johnson të dalë hapur me arsyet e dorëheqjes së tij.

Raportime gjatë fundjavës tregojnë se rreth 40 nga 48 deputetët që nevojiten për thirrjen e mocionit me kryetaren e partisë kanë depozituar kërkesën, pasi May sugjeroi se Britania e Madhe ishte e përgatitur për të nënshkruar një “marrëveshje rregullash të përbashkëta” për ushqimin dhe mallrat pas Brexit.

Kryeministrja ishte vendosur fillimisht në siklet nga Trump kur ai dha një intervistë për “The Sun”, publikuar mëngjesin e konferencës së shtypit, në të cilën ai dukej se thoshte se plani Brexit i May do të pengonte një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe se Johnson do të kishte qenë një kryeministër i shkëlqyer.

Trump më pas kërkoi ndjesë ndaj May në privat, dhe pjesërisht u tërhoq nga komentet, duke thënë se Britania e Madhe duhet të ndiqte politikën e vet Brexit dhe negociatat tregtare por: “Sigurohuni që të mund të bëni tregti edhe me ne”.

Intervistuesi i BBC-së e pyeti May nëse besonte se Trump kishte ndonjë problem mjekësor me shkallët, pasi vazhdimisht i mbante dorën kur të dy ndodheshin përballë ndonjë shkalle. May pohoi se “kjo kishte ndodhur”.

Por, ajo nuk pranoi të hynte në diskutimin nëse kjo dhënie dore për ta ndihmuar me shkallët, siç e komentoi ajo, ishte ofenduese.

Ajo tha po ashtu se besonte se mund ta besonte fjalën e Trump dhe në një jehonë të gjuhës së përdorur nga presidenti, shtoi se Britania e Madhe do të vazhdojë të shijojë “nivelin më të lartë të marrëdhënies speciale me Shtetet e Bashkuara”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit