Rrëzohet njeriu i Metës. Socialistët, kundër propozimit për kreun e KLSH-së

Mos i humb

Pas rrëzimit në seancë plenare të Vitore Tushës për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, mazhoranca socialiste i rrëzoi në Komisionin e Ekonomisë dekretin e dytë presidentit Meta, i cili propozonte ish-drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, për kryetar të KLSH-së.

Raporti, që përmban propozimin e Komisionit për rrëzimin e dekretit, tani do t’i kalojë për votim seancës plenare. Sipas deputetëve të mazhorancës, edhe pse ka certifikatë audituesi, Shaqiri nuk ka eksperiencën e duhur në çështjet e kontrollit financiar.

Para marrjes së vendimit, Shaqiri, aktualisht këshilltar i presidentit Meta për çëshjet e Sigurisë, tha se i ka aftësitë profesionale dhe integritetin e duhur për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Deputetët demokratë nuk merrnin pjesë në komision, ndërkohë që ata të LSI-së hodhën dyshime për rrëzimin e kandidaturës së Bahri Shaqirit, për shkak të reagimit të menjëhershëm të mazhorancës në kohën kur doli dekreti.

Rrëzimi i dy dekreteve të njëpasnjëshëm për kryetarin e KLSH-së vjen në një monent kur marrëdhëniet mes qeverisë dhe Presidencës nuk janë aspak të qeta. Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit është në muajin e dytë pa kryetar, pasi mandati i Bujar Leskajt përfundoi më 15 dhjetor, ndërkohë që ky institucion po drejtohet aktualisht me kompetenca të deleguara nga nënkryetarja Lindita Milo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit