Rritet retorika islamofobike për Ramazan në gjithë Europën

Mos i humb

Gjatë muajit të Ramazanit në të gjithë Europën ka pasur rritje të retorikës islamofobe të politikanëve të njohur me retorikat ekstreme të djathta dhe raciste.

Informacionet e mbledhura nga gazetarët e Agjensisë Anadolli në gjithë Europën tregojnë se figurat politike, sidomos ata që njihen për qëndrimet e tyre raciste dhe anti-islame, kanë nisur të vendosin në shënjestër edhe më shumë muslimanët në Ramazan.

Rastet dhe retorikat islamofobike vërehen më së shumti në vende si Belgjika, Holanda, Danimarka, Franca, Suedia dhe Gjermania.

– Muslimanët në Belgjikë, nën objektivin e partisë ekstreme të djathtë

Partia Interesat Flamane (Vlaams Belang), e njohur për politikat e saj ekstremiste të djathta dhe raciste në Belgjikë, njihet për vendosjen e shpeshtë në shënjestër bashkësinë muslimane në vend.

Filip Dewinter, një prej liderëve kryesorë të partisë, në dhjetë ditët e para të Ramazanit ka bërë më shumë se 20 postime islamofobike në llogarinë e tij në median sociale.

Dewinter, duke protestuar kundër Bashkisë së Anversit për shpërndarjen e ushqimeve për muslimanët para syfyrit, në një postim është shprehur me fjalët: “Skarë në Ramazan. Në menu ka mish derri dhe alkool”.

Po ashtu, edhe anëtarja e partisë dhe ish-mbretëresha e bukurisë Anke Van Dermeersch, në kopertinën e një libri që ka shkruar ka përdorur fotografinë e një gruaje që shkel mbi Kuranin e shenjtë, ndërsa në lidhje me këtë kishte përmendur shprehjen “manual ushtarak”.

Ekstremistja e krahut të djathtë Dermeersch në javën e parë të Ramazanit ka njoftuar se do të hapë padi kundër Kuranit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECtHR).

– Holandë, provokimi për Ramazanin nga ekstremisti i krahut të djathtë Wilders

Geert Wilders, lideri i Partisë së Lirisë (PVV) në Holandë, e cila gjithashtu është e njohur për qëndrimin e saj anti-musliman, në muajin e Ramazanit ka tentuar një provokim të ri duke njoftuar se do të zhvillojë një konkurs të karikaturave me temë “profetin Muhammed” në ndërtesën e parlamentit holandez.

Menjëherë pas kësaj, PVV në një program për zgjedhjet lokale në një transmetues holandez publikoi sërish spotin reklamues ku hapësirë i është dhënë shprehjes “Islami është vdekjeprurës”.

Prokuroria pas një ankese në lidhje me reklamën njoftoi pikëpamjen e saj se filmi nuk përmban fyerje apo diskriminim ndaj një grupi dhe nuk inkurajon dhunën.

Po ashtu, edhe lëvizja anti-islame në Holandë, PEGIDA, nëpërmjet medias sociale filloi fushatën “shporru me Ramazanin”. PEGIDA ka njoftuar se në ditë të ndryshme të amazanit do të bëjë “skarë me mish derri” në vendet pranë xhamive.

– Ministrja daneze theksoi se ata që agjërojnë janë “të rrezikshëm”

Një nga rastet më të dikskutueshme në Evropë gjatë Ramazanit ka ardhur nga İnger Stöjberg, ministrja daneze e Migrimit dhe Integrimit, e cila ka detyrën për të siguruar harmoni midis shoqërive të ndryshme në vend.

“Muslimanët që agjërojnë duhet të marrin leje nga vendet ku punojnë për të mos dëmtuar shoqërinë daneze”, është shprehur Stöjberg, e cila ka mbrojtur idenë e saj se personat që agjërojnë “rrezikojnë gjithë shoqërinë”.

Vëmendja ka tërhequr fakti që një retorikë e tillë që ndan edhe më shumë shoqërinë vjen nga një ministre e cila është e emëruar për të siguruar harmoni midis shoqërive të ndryshme në vend.

– Francë, në shënjestër kryetarja e mbuluar e unionit studentor

Maryam Pougetoux, kryetare e unionit studentor të Universitetit Sorbonne IV në Paris (UNEF), ka qenë në shënjestrën e politikanëve në Francë.

Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, në lidhje me një fjalim të Pougetoux në një kanal televiziv për reformat e arsimit në Francë, është shprehur: “Është shokuese. Kjo është një përpjekje për përhapjen e një feje. E vërejmë se disa persona nëpërmjet këtyre shenjave fetare kanë qëllim provokimet”.

Edhe revista e karikaturave Charlie Hebdo në kopertinën e numrit të kësaj jave e ka karikaturuar Pougetoux në formën e “majmunit”.

– Sulm me karikaturë në Suedi

Jan Sjunnesson, ish-kryeredaktor i përgjithshëm i revistës Samtiden, e cila është organ publikues i Partisë Demokratike Suedeze e krahut të djathtë ekstrem në Suedi, ka shënjestruar muslimanët gjatë muajit të Ramazanit nëpërmjet karikaturave.

Sjunnesson nëpërmjet llogarisë së tij në median sociale ka postuar dy karikatura që ofendojnë muslimanët. Në njërën prej kariktaturave janë pikturuar djem që godasin me gurë një vajzë të vogël, ndërsa në tjetrën ndodhet mesazhi “jemi në punë me babain”, ku në fotografi gjendet një person me veshje arabe që godet me kërbaç një person tjetër.

Prokuroria suedeze ka njoftuar se në lidhje me Sjunnesson ka nisur një hetim me arsyetimin se ka kryer “krim të urrejtjes”.

– Sulme ndaj xhamive

Sulmet përgjatë muajit të Ramazanit kanë vazhduar edhe ndaj xhamive dhe shoqatave islame, të cilat tashmë janë të përhapura në Evropë.

Sulm ndaj qendrës islame u krye javën e kaluar në qytetin Rapallo në veri të Italisë. Sulmuesi tek qendra grisi kuranin, vizatoi svastikën dhe shkroi fjalë ofenduese.

Në ditët e para të Ramazanit në qytetin Hesselholm të Suedisë u dogj xhamia me kapacitet për 200 persona. Për shkak të zjarrit, faltorja që gjendet nën apartamentin e shoqatës kulturore islame të Hesselholmit pësoi dëme të mëdha. Në këtë mënyrë, muslimanët e rajonit u privuan nga një vend adhurimi.

Ashtu siç ka ndodhur gjithnjë, edhe përkrahësit e organizatës terroriste PKK kanë vazhduar sulmet e tyre ndaj xhamive. Javën e kaluar simpatizantët shkruan mesazhe kërcënuese në muret e xhamisë në qytetin Ermannhausen në rajonin Baden-Württemberg të Gjermanisë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit