“Rumania përpjekje për të avancuar të ardhmen evropiane të rajonit”

Mos i humb

Presidenca Rumune e Këshillit të Bashkimit Europian do të kërkojë që të kanalizojë përpjekjet për të avancuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe rajonit, deklaroi ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Perpelea Perpelea, në ceremoninë e hapjes së Presidencës Rumune të Këshillit të BE-së, organizuar në Tiranë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Rumanisë në Shqipëri, ambasadorë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ambasadori i BE-së, Soreca, tha se gjashtë muajt e ardhshëm, Rumania do të drejtojë me vështirësitë, por gjithashtu edhe me mundësitë me të cilat po përballet aktualisht BE-ja, si tërheqja e Britanisë, migrimi dhe siguria në afërsi të tij dhe negociatat për kornizën financiare.

Sipas tij, për Shqipërinë kjo periudhë do të jetë vendimtare.

“Ajo që shtetet anëtare presin nga Shqipëria u tha qartë qershorin e kaluar, që Shqipëria të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe dhe veçanërisht të japë rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Kohët e fundit kemi parë progres në lidhje me reformën në drejtësi, me ngritjen e institucioneve të reja”, tha Soreca.

Ndërkaq, ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Mircea Perpelea, në fjalën e tij bëri një prezantim të prioriteteve kyçe të Presidencës Rumune të BE-së, ku theksoi se Rumania e merr këtë drejtim në një periudhë sfidash që po has projekti i BE-së.

“Presidenca rumune do të ketë edhe një samit më 9 maj, dy javë para zgjedhjeve europiane. Ne e shikojmë këtë samit si një moment kyç për të rritur ndërgjegjësimin te brezat e rinj dhe për të përçuar një mesazh bashkimi në të gjitha vendet e BE-së. Presidenca rumune është e bazuar te besimi që vizioni për të ardhmen do të duhet të ndërtohet rreth parimit të evoluimit të BE-së”, tha Perpelea.

Sipas tij, qasja e presidencës rumune ka të bëjë me parimin e kohezionit dhe axhenda e punës do të përqendrohet në katër shtylla kryesore: Europa e Konvergjencës, Një Europë më e Sigurtë, Europa Aktor Global dhe Europa e Vlerave të Përbashkëta.

Ambasadori Perpelea tha se Presidenca Rumune e Këshillit të BE-së do të kërkojë që të kanalizojë përpjekjet për të avancuar të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe rajonit.

“Rumania do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet e mundshme që të lehtësojë në qershor të vitit 2019 miratimin e vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Për të arritur këtë rezultat në përputhje me vendimet e nxjerra nga këshilli në qershor të vitit 2018, do të kërkohet konsensus nga shtetet anëtare të BE-së dhe në këtë proces një faktor vendimtar do të jenë rezultatet konkrete të procesit të reformave”, përfundoi Perpelea.

Kujtojmë se Rumania mori në fillim të janarit kryesimin me Bashkimin Europian nga Austria, e cila kryesoi gjashtë muajt e kaluar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit