Sa të jetë gjuha shqipe emri i tij do të jetë në lutjet e shqipfolësve!

Mos i humb

Sa të jetë gjuha shqipe emri i tij do të jetë në lutjet e shqipfolësve!

Nga: Abdullah Klinaku

“Të shkruajm’ gjuhën tonë, kombinë ta ndritojmë, gjithë ç’është e ç’ka qenë, ngadalëzë ta mësojmë”, ishte porosia e poetit shqiptar Naim Frashëri.

Të shkruarit në gjuhën shqipe, gjuhën që e kupton populli ynë ka qenë mision fisnik i intelektualëve, e më e mira e këtij mision është kur ja mundëson popullit mësimin për Zotin dhe Fjalën e Zotit në gjuhën e tij, pra në gjuhën e mirë shqipe.

Këtë mision fisnik e patriotik e kishte marr mbi supe hoxha dhe mësuesi i lindur në komunën e Lipjanit në vitin 1920.

I edukuar në Medresenë e Ferizajit e të Prishtinës, e i rritur pranë dijetarëve të asaj kohe, djaloshi nga Lipjani nis misionin e tij për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, duke i sjell shkrime dhe literaturë në gjuhën shqipe.

Ishte mësues, edukator, hoxhë, myderriz, myfti në Lipjan dhe pastaj për 5 vite në Prishtinë, kryetar i shoqatës së Ylemave të Kosovës, autor librash, dorëshkrimesh dhe përkthimesh.

Fati i rëndë i Kosovës nën okupimin serb e kishte vështirësuar fjalën dhe shkrimin shqip. Hoxha i vetëdijshëm se këtij populli i duhet mësimi fetar në gjuhën shqipe nisi botimet në gjuhën shqipe.

Me të drejt ai njihet si pishtari dhe themeluesi i publistikës islame.

Shkrimet për besimin dhe atdhedashurinë nisën në revistën “Buletini”, pastaj në botimin e “Takvimit” e në vitin 1971, u themelua revista “Edukata” e përcjellur pastaj me revistën mujore, “Dituria Islame” nga viti 1986, në të cilat shkrimet dhe publikimet e Hoxhës ishin të dashura për shqiptarët.

Ai ishte autor edhe i librit “Komente dhe mendime Islame” libër i cili shtronte themelin e mendimit islam te shqiptarët.

Mbi të gjitha Myderrizi i jonë, ju kishte përveshur përkthimit të Kur’anit dhe komentimin e tij në gjuhën shqipe.

Ai kishte vendosur që lexuesit shqiptar t’ja sjell fjalën e Zotin në gjuhën shqipe. Ai u bë shkak që ne sot e lexojmë aq këndshëm Fjalën e Zotit në gjuhën e nënës.

Prandaj, emri i tij haxhi Sherif Ahmeti, do të përmendet në lutjet e shqipfolësve deri në ditën kur në vendin tonë do të flitet gjuha shqipe.

Rahmet pastë shpirti i tij fisnik, i cili ju dorëzu Zotit në vitin 1998, për çdo fjalë të përkthyer që e lexojmë deri në ditën kur nuk do të jetë askush tjetër përveç Madhërisë së Zotit!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit