Saga e abuzimeve me rrugën gjysmake të Gjinarit shkon në gjyq

Mos i humb

Kërkesa për gjykim e Prokurorisë ndaj dy ish-drejtorëve të ARRSH-së, Andi Toma dhe Dashamir Xhika dhe tre administratorëve të kompanive private tregon se si u zvarrit për 10 vjet pa u përfunduar asnjëherë rruga Elbasan-Gjinar; e cila u kushtoi rreth 500 milionë lekë taksapaguesve.

Prej shkurtit 2019, Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar tre seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për abuzime me vlerë rreth 500 milionë lekë në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar. Deri tani janë thirrur dëshmitarë të akuzës, ndërsa pritet që të fillojë edhe shqyrtimi i ekspertizave teknike që sipas prokurorisë dokumentojnë shkeljet në këtë rrugë.

Prokuroria në kërkesën për gjykim pretendon se dy ish-drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Toma nga viti 2008 deri në vitin 2013 dhe pasuesi i tij në vitin 2013, Dashamir Xhika kanë “shpërdoruar detyrën” me pasojë dëm financiar ndaj shtetit dhe një rrugë e papërfundur, ndonëse investimi për të ka filluar që prej vitit 2008.

Nën akuzë janë edhe tre administratorët e kompanive “Arifaj shpk” dhe “Vëllezërit Hysa Shpk”, Rezarta Bokçiu, Agron Hysa dhe Kujtim Hysa si dhe kompanitë e përfaqësuara prej tyre.

Administratorët akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”. Ndërkohë disa zyrtarë të ARRSH-së, të cilët bënë raportin e kolaudimit akuzohen po ashtu për “shpërdorim detyre”. Prokuroria ngriti akuzë edhe ndaj kompanisë mbikëqyrëse dhe administratorit të saj, por akuzat ndaj këtij të fundit janë pushuar nga gjykata e Elbasanit, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.

Avokati Artan Hajdari, i cili mbron në këtë çështje ish-drejtorin e ARRSH-së, Dashamir Xhika i tha BIRN se ata e kundërshtonin akuzën dhe se Xhika “nuk e ka kryer veprën penale”. Në një e-mail të përpiluar nga zyra e avokatisë  thuhet se prokuroria nuk ka provuar dot se Xhika kishte kryer “shpërdorim detyre”.

BIRN kontaktoi edhe me avokatin e Andi Tomës si dhe mbrojtësit e administratorëve të kompanive “Arifaj” dhe “Vëllezërit Hysa”, por nuk mori reagim prej tyre deri para publikimit të këtij shkrimi.

Akuzat ndaj dy ish-drejtorëve të ARRSH 

Hetimet ndaj dy ish-drejtorëve të ARRSH-së, kompanive “Arifaj” sh.p.k dhe “Vëllezërit Hysa” dhe administratorëve  filluan kryesisht nga prokuroria e Elbasanit në vitin 2016. Nga kërkesa për gjykim rezulton se prokuroria nisi të hetonte për shkak se 10 vjet pas nisjes së punimeve për 23 kilometra rrugë mes Elbasanit dhe Gjinarit, ajo nuk përfundoi asnjëherë dhe pjesë të ndryshme të rrugës ishin dëmtuar nga rrëshqitja pas punimeve të kryera në të.

Në fillim të vitit 2018, prokuroria urdhëroi arrestimin e dy ish-drejtuesve të ARRSH, tre administratorëve dhe një sërë zyrtarësh të tjerë. Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan miratoi masa sigurie arresti me burg për të akuzuarit. Disa nga masat e sigurisë u zbutën më pas në Gjykatën e Apelit Durrës.

Në kërkesën për gjykim, prokurorja e çështjes, Armanda Xhaferri i referohet një ekspertize të kërkuar prej saj, sipas të cilës rruga nuk kishte përfunduar dhe investimi ishte bërë në mënyrë të tillë që punimet e pjesshme të kryera mbi të po degradonin dhe po shkatërroheshin. Xhaferri thotë se ekspertiza kishte gjetur mangësi në projektimin e rrugës si dhe mangësi në trajtimin e problemeve që dolën gjatë ndërtimit. Sipas prokurorisë vetëm për volumet e punës së pakryera dëmi ndaj shtetit ishte 7.2 milionë lekë.

Prokuroria akuzon dy ish-drejtuesit e ARRSH se kishin shpërdoruar detyrën duke miratuar shtyrje të herëpashershme të afateve të punimeve në rrugë. Pjesë e akuzave është edhe miratimi prej tyre i ndryshimeve në projekt, të cilat sipas Prokurorisë sollën probleme shtesë si dhe miratimi në heshtje i paligjshmërisë së dy kompanive fituese të tenderit.

Akuza pretendon se megjithëse kompanitë Arifaj dhe Vëllezërit Hysa kishin fituar tenderin dhe bënë një kontratë, sipas të cilës puna do të kryhej 90 për qind nga Arifaj Shpk dhe 10 për qind nga kompania tjetër, ata kishin ndryshuar në mënyrë abuzive dhe në shkelje të ligjit këtë kontratë.

“Punimet, në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike dhe kontratën mes ARRSH-së dhe dy kompanive u kryen prej kompanisë “Vëllezërit Hysa” në masën më të madhe,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas dokumenteve të përmendura në akt-akuzë rezulton se ish-drejtuesit Andi Toma dhe Dashamir Xhika ishin venë në dijeni prej kompanive për ndryshimet e bëra në kontratë, por nuk kishin marrë masa për të ndaluar paligjshmërinë.

Prokuroria vë në dukje se Toma, megjithëse kishte marrë shkresë prej kompanive mbi ndryshimin e raporteve të pjesëmarrjes në kontratë, i kishte referuar përgjigjet e veta gjithmonë bazuar në kontratën fillestare, pa marrë asnjë masë për ndryshimet që kishin bërë kompanitë.

“Me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme ka miratuar dhe lejuar që fondet publike të dhëna nga buxheti i shtetit në shumën prej 499,525,926 lekë  të administroheshin dhe të përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme nga shoqëria “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, ndërkohë që sipas procedurës së prokurimit publik, fituese kryesore për realizimin e punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” ishte shpallur shoqëria “Arifaj” sh.p.k,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Prokuroria paraqet si provë që Toma ishte në dijeni të ndryshimit të kontratës firmosjen prej tij të pagesave në emër të kompanisë Vëllezërit Hysa në një masë më të madhe se sa i takonin kësaj kompanie.

Toma akuzohet po ashtu për miratimin e 6 shtyrjeve të afatit të përfundimit të punimeve, pa marrë asnjë masë ndaj kompanive. “Ka nënshkruar 6 (gjashtë) Kontrata Shtesë për shtyrjen e afatit për punimet, duke miratuar dhe “legjitimuar” zvarritjen e theksuar të kryerjes së punimeve në objekt,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Rruga sipas kontratave duhej të kishte përfunduar brenda 15 muajve, por ajo është ende e papërfunduar dhe kërkon shpenzime shtesë nga buxheti i shtetit.

Akuza të ngjashme ka edhe ndaj pasuesit të Tomës në ARRSH, Dashamir Xhika. Ky i fundit sipas prokurorisë nuk ka kryer detyrën e tij me dashje, duke nënshkruar edhe ai një shtyrje afati dhe duke lejuar vijimin e paligjshmërisë në raportin mes dy kompanive. Sipas prokurorisë, Xhika nuk kishte ndërmarrë asnjë masë për të hetuar cilësinë me të cilën ishte ndërtuar rruga dhe as vonesat në dorëzimin e saj, edhe pse paratë e buxhetit të dhëna për të ishin harxhuar.

“Zvarritja e theksuar në kryerjen e punimeve, të miratuar edhe Kontratë Shtesë të nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së Dashamir Xhika, kanë sjellë si pasojë që ujrat nëntokësore dhe rreshjet të mbingopin tokën dhe të dëmtohet struktura e saj, duke sjellë rrëshqitjet, problem i cili nuk është zgjidhur asnjëherë ndonëse të gjitha fondet  publike janë haxhuar,” thuhet ndër të tjera në akuzë.

Mbrojtja e Xhikës pretendon se kjo nuk ishte përgjegjësi e drejtorit të ARRSH-së. Në një përgjigje me e-mail për BIRN, avokatët e Xhikës arsyetojnë se prokuroria nuk ka identifikuar saktë përgjegjësitë e drejtorit të ARRSH-së. Në një pjesë të mbrojtjes, ata ia lënë fajin vartësve të Xhikës për dokumentet e firmosura prej tij.

Duke iu referuar kolaudimit të rrugës së kryer prej punonjësve të ARRSH-së, pavarësisht se rruga nuk ishte përfunduar, avokatët pretendojnë se kjo nuk është përgjegjësi e Xhikës.

“Ky fakt në mënyrë kategorike nuk sjell përgjegjësi për personin nën hetim Z. Dashamir Xhika, sepse ai merr të mirëqenë faktin e paraqitur nga grupi i punës,” thanë avokatët.

Avokatët theksojnë gjithashtu se asnjë nga personat që kishin për detyrë ndjekjen e punimeve, nuk e kishte informuar Xhikën për problemet që kishte rruga.

“Nuk rezulton asnjë shkresë zyrtare e ndonjë institucioni konkret, mbikqyrësit të punimeve (i cili ka detyrën funksionale për ndjekjen e punimeve), apo drejtorive përkatëse, apo specialistëve përkatës që ndiqnin zbatimin e kontratës brenda autoritetit, të cilët të kenë informuar personin nën hetim,” thuhet në pretendimet e mbrojtjes së Xhikës.

Akuzat ndaj kompanive

Prokuroria akuzon tre administratorët Agron Hysa, Kujtim Hysa dhe Rezarta Bokçiu për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Ndërsa akuza për dy ish-drejtorët është kryesisht për miratimin në heshtje dhe duke mosvepruar të veprimeve të kundraligjshme të kompanive, prokuroria pretendon se për këto të fundit shkeljet janë më të prekshme.

Prokuroria pretendon se nga ekspertiza e kryer prej saj rezultoi se rrugës i mungonin 7.2 milionë lekë volume pune të paguara nga buxheti i shtetit. “Nga ekspertimi dhe verifikimi i volumeve të punimeve në objekt, rezultojnë se janë 7,209,020.97 lekë (të reja) punime të kryera më pak në krahasim me volumet e punimeve të evidentuara në situacionin përfundimtar,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Prokuroria thotë se gjeti devijime thelbësore nga projekti, përfshi vendosje tubacionesh më të vogla nga sa parashikoheshin deri dhe punime të pa kryera, përfshi një shtresë asfalti. “Mungesa e shtresës së asfalt-betonit në të gjithë gjatësinë e rrugës; mungesa e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, mungesa e: mbrojtëseve rrugore, bankinave, ndriçimit, etj,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Prokuroria pretendon gjithashtu se nga verifikimet dhe ekspertiza ka rezultuar se një sërë ndryshimesh në projekt ishin bërë pa kryer studime të plota, të cilat kishin sjellë përpos kostove shtesë edhe dëmtimin e rrugës nga rrëshkitja.

Prokuroria po ashtu pretendon se marrëveshjet përmes akteve noteriale mes dy kompanive për të ndryshuar përqindjen e pjesëmarrjes në punime ishin të kundraligjshme.

“Shoqëritë “Arifaj” sh.p.k dhe “Vëllezërit Hysa” sh.p.k kanë lidhur dy Akt-Marrëveshje noteriale datë 25.02.2009 dhe 11.05.2010, sipas të cilave shoqëria “Arifaj” sh.p.k ia ka kaluar me nënkontraktim shoqërisë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k kryerjen e punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” në masën 93.4 %, ndërsa shoqëria “Arifaj” sh.p.k do të kryente vetëm 6.6 % të punimeve. Siç kemi analizuar më sipër, këto dy Akt-Marrëveshje janë të kundërligjshme”, thuhet në kërkesë.

Prokuroria thotë se shoqëria “Vëllezërit Hysa” që mori përsipër shumicën e punimeve nuk ishte “nënshtruar procedurës së kualifikimit në tender për aftësitë teknike dhe profesionale”. Prokuroria lidh me këto aktmarrëveshje edhe mangësitë e shkeljet që u gjetën më pas.

Në një prej seancave të kryera tashmë, Skënder Bokciu, bashkëadministrator në kompaninë Arifaj Shpk, pranoi se punimet ishin kryer prej kompanisë Vëllezërit Hysa pavarësisht se tenderi ishte fituar prej Arifaj Shpk për 90 për qind të punimeve, por mbetet në vlerësimin e gjykatës nëse kjo do të konsiderohet apo jo shkelje.

“Ndonëse të gjitha fondet publike në shumën 499,525,926 lekë të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit  janë harxhuar plotësisht, ARRSH do të kërkojë fonde publike të tjera nga buxheti i shtetit për realizimin e punimeve të shtresës së asfaltobetonit, sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe të zonave me rrëshqitje,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Sipas saj zvarritja e theksuar në kryerjen e punimeve nga dy shoqëritë zbatuese ka sjellë si pasojë edhe rrëshqitjen e rrugës, “problem i cili nuk është zgjidhur asnjëherë ndonëse të gjitha fondet publike janë haxhuar”.

Ekspertiza e prokurorisë po ashtu gjeti se një pjesë e mirë e punimeve të kryera do të dëmtoheshin për shkak se ishin lënë përgjysëm. “Të heqësh tapetin e asfaltit në një rrugë do të thotë të pranosh me vetëdije, të shkatërrosh gjithë nënshtresat e tjera,” thuhet në kërkesën për gjykim. Po ashtu aty vihet në dukje se mungesa e sinjalistikës dhe masave të sigurisë në rrugë cënonin sigurinë në rrugë sidomos gjatë stinës së dimrit.

Kosto shtesë për projektin

Ende pa shkuar në gjykatë dosja për këto abuzime, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) shpalli në shtator 2018 një tender për të studiuar pjesë të mbetura pa përfunduar të rrugës Elbasan-Gjinar. Tenderi është me vlerë 2.2 milionë lekë  të tjera, përveç rreth 500 milionë që janë harxhuar tashmë dhe të tjera që pritet të harxhohen në një investim të dytë.

Sipas faqes zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, tenderi është anuluar pas shpalljes së parë pasi nuk pati më shumë se dy oferta.

Ndërkohë nga termat e referëncës së tenderit për studim e projektim, që i shtohet kostove të kësaj rruge të filluar në vitin 2008, pranohet ashtu si në ekspertizën e prokurorisë se asfaltimi i saj nuk ishte bërë i plotë dhe se për rrjedhojë asfalti i hedhur kishte pësuar dëmtime, ndërsa mungon sinjalistika dhe ende nuk ka zgjidhje për rrëshqitjet.

Dokumenti i ARRSH-së thotë se studimi duhet të përfshijë bërjen e shtresave të asfaltobetonit në të gjithë gjatësinë e rrugës, punimet e sinjalistikës dhe të sigurisë rrugore, trotuaret në pjesë të rrugës që kalojnë në mes të fshatrave dhe mure pritëse e kanale betoni të mbetura pa bërë.

Dokumentet e prokurorisë tregojnë ndërkohë se nga viti 2008 kur është zhvilluar tenderimi dhe kanë filluar punimet për këtë rrugë, projekti i saj ka ndërruar 5 herë duke shtuar elementë dhe hequr të tjerë.

Prokuroria thotë se zgjerimi i rrugës me një metër, u bë në kurriz të një sërë elementëve të tjerë dhe pa studim përkatës, duke bërë që rruga të jetë ende e papërfundura, e pasigurtë dhe me kosto shtesë për buxhetin e shtetit./ Reporter.al

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit