Seminar Shqipëri-Kosovë për mësuesit nga diaspora

Mos i humb

 

Në Shqipëri po mbahet seminari mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë”, me pjesëmarrjen e dhjetëra mësuesve të diasporës nga Shqipëria dhe Kosova.

Seminari që organizohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovë ka mbledhur së bashku rreth 160 mësues që kanë ardhur në Tiranë nga vende të ndryshme ku ata jetojnë dhe punojnë.

Anila Ferizaj, përfaqësuese nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, për AA tha se ky seminar i përbashkët ka në fokus zhvillimin profesional të mësuesve që japin mësim në gjuhën shqipe në diasporë.

“Ky është seminari i katërmbëdhjetë dhe nga viti në vit ka ardhur duke e rritur cilësinë e tij. Dy shtetet e konsiderojmë diasporën si një dhe të pandarë, si diasporë shqiptare dhe me këtë qasje ne kemi zhvilluar këtë seminar. Në këtë seminar janë rreth 160 mësues që japin mësim kryesisht në vendet e Evropës, si në Itali, Greqi, Suedi, Gjermani, Zvicër dhe Belgjikë. Këta janë vendet kryesore nga vijnë mësuesit. Në Itali dhe Greqi mësuesit punojnë në mënyrë vullnetare dhe në fundjavë apo pasditeve të lira japin mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë”, theksoi Ferizaj.

Ajo tha se ka edhe mësues që janë të angazhuar në institucionet arsimore apo në shoqata të ndryshme në vendet ku jetojnë. Ferizaj u shpreh se kjo është një nismë e përbashkët që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Durim Lika, i cili është emigrant në Itali angazhohet në mësimdhënie në kursin e gjuhës dhe kulturës shqipe në Parma të Italisë.

“Kam rreth 22 vite që jam larguar nga Shqipëria ku kam punuar si mësues matematike fillimisht dhe për arsye ekonomike unë emigrova. Aktualisht jetoj në Parma të Italisë dhe merrem me lëmin e informatikës. Krahas kësaj jap dhe një kontribut personal me familjen për komunitetin shqiptar në Parma”, tha Lika për AA.

Seminari që do të vazhdojë deri më 03 gusht u hap dje gjatë një aktiviteti ku ishin të pranishëm ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Shyqiri Bytyqi.

Seminari synon aftësimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies, si dhe promovimin e praktikave më të mira të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit