Separatistët fitojnë zgjedhjet në Katalonjë

Mos i humb

Partitë separatiste në Katalonjë në zgjedhjet e djeshme të jashtëzakonshme parlamentare fituan vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë së shumicës.

Qytetarët e rajonit autonom të Katalonjës dje dolën në votime në zgjedhjet e parakohshme, të shpallura nga autoritetet qendrore spanjolle pas marrjes së kontrollit të Katalonjës në fund të tetorit.

Qëllimi i zgjedhjeve ishte për të kontribuar që rajoni të dalë nga kriza në të cilën autoritetet separatiste shpallën pavarësi të njëanshme, kurse qytetarët dolën në votime për të zgjedhur 135 përfaqësuesit e parlamentit lokal.

Sipas rezultateve të publikuara mbrëmë vonë, koalicioni “Së bashku për Katalonjën”, i përbërë nga Partia Demokratike Evropiane (PDeCAT) dhe Konvergjenca Demokratike e Katalonjës (CDC), fitoi 34 vende (21.65 për qind), E majta Republikane e Katalonjës (ERC) 32 vende (21.39 për qind) dhe Kandidatura Anti-kapitaliste e Unitetit Kombëtar (CUP) mori 4 vende (4.45 për qind).

Partitë separatiste, edhe pse fituan më pak se 50 për qind të votave, për shkak të sistemit zgjedhor kanë siguruar 70 vende, kurse minimumi për formimin e Qeverisë është 68. Në zgjedhjet e mëparshme partitë separatiste fituan 72 vende në parlament, edhe pse janë dobësuar pak, ata arritën të mbeten në pushtet.

Fitorja e zgjedhjeve sërish i ka hapur rrugën Presidentit të pezulluar të rajonit spanjoll të Katalonjës, Carles Puigdemont të jetë president i Katalonjës. Por, ende nuk dihet nëse do të kthehet në Spanjë apo çfarë do të ndodhë pas kthimit të tij.

Carles Puigdemont, i cili ndodhet në Bruksel, i uroi qytetarët për fitoren si “president i Katalonjës”.

“Zgjedhjet i ka fituar Republika e Katalonjës. Shteti i Spanjës, Rajoy dhe aleatët e tyre kanë humbur”, tha Puigdemont, duke shtuar:

“Ne jemi qeveri legjitime, politikanët e arrestuar duhet të lirohen urgjentisht, kurse politikanët duhet të lejohen të kthehen në parlament”.

Ai përsëriti se shteti spanjoll u mposht.

“Pavarësisht dhunës, frikës, burgosjes, persekutimit dhe kërcënimeve, ne kemi fituar. Rajoy (kryeministri spanjoll), shteti spanjoll dhe Evropa duhet ta dëgjojnë këtë”, tha Puigdemont.

Presidenti i pezulluar i rajonit spanjoll të Katalonjës, Puigdemont dhe katër ministrat e tij në Spanjë akuzohen për kryengritje, nxitje për rebelim dhe shpërdorim të fondeve publike dhe shkelje të besimit, kurse në Belgjikë udhëtuan pasi u larguan nga detyra për shkak të shpalljes së paligjshme të pavarësisë së Katalonjës./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit