Sezoni/ Klosi e Margariti mbledhin Task Forcën e Turizmit në Fier

Mos i humb

Mbledhja e radhës e Komitetit Rajonal të Turizmit, e drejtuar nga ministri Klosi, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, si e deleguara e Këshillit të Ministrave për të drejtuar grupin ndërinstitucional për menaxhimin e sezonit turistik 2019, u zhvillua në qarkun e Fierit.

“Është nga ato qarqe ku ne vijmë pasi kemi bërë më parë një javë inspektim nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe institucionet ligjzbatuese dhe ku përmirësimi është evident. Sot në të gjithë sipërfaqen që prek detin Adriatik në qarkun e Fierit kemi një sistem perfekt të ndarjes së plazheve nga të dyja bashkitë, kemi një sistem të menaxhimit të hapësirave publike dhe bashkitë janë në gjendje të ofrojnë jo vetëm pastërtinë e skajshme të këtyre plazheve, por edhe sistemin e ruajtjes së jetës në plazh”, tha ministri Klosi.

Por, megjithëse bashkia e Fierit dhe e Divjakës ka marrë thuajse të gjitha masat në zbatim të VKM-së për “Stacionet e Plazhit”, duke nënshkruar kontratat me subjektet turistike, garantuar siguri jete dhendarje korrekte të plazheve në përputhje me raportin e kërkuar, ministri Klosi thekson se turizmi në Fier nuk mund të mbetet vetëm plazh.

“Jo më kot kemi ardhur në Ardenicë, për të realizuar këtë mbledhje të Task Forcës pasi nga kjo pikë e re agroturistike ku jemi realisht kupton formulën magjike për turizmin shqiptar. Ne duhet të zhvillojmë turizmin e natyrës. Të gjithë ata që duan të frekuentojnë detin që nga kjo pikë është shumë afër por edhe të jgithë ata që frekuentojnë kishën e Ardenicës duhet të njihen me pamjet e turizmit perfekt që mund të realizohet në qarkun e Fierit. Ajo që bëhet këtu në këtë biznes të vogël lokal e familjar është e ardhmja e turizmit në qarkun e Fierit. Na duhet që jo vetëm 2 bashkitë në bregdet por të 7 njësitë administrative të qarkut të punojnë shumë më fort përsa i përket ofertës agroturistike, menaxhimit më të mirë të pasurive të mëdha natyrore që ka kjo trevë”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, Fieri do të duhet të shndërrohet në polin më të ri turistik, për arsyen se nuk ka turist që viziton Shqipërinë dhe nuk kalon nëpërmjet këtij qarku. “Ndaj i del detyrë këtij komiteti që të ndërtojmë një strategji, të vendosim rregullat, të mbështesim nëpërmjet bashkive në çdo njësi projektet për agroturizmin, për diversifikimin e ofertës turistike, që e lidhin bukurinë e detit me turizmin natyror dhe sitet e trashëgimisë kulturore. Në këtë qark kemi dy nga sitet më interesante dhe të populluara në Shqipëri, Apolloninë dhe Bylisin, të cilët janë lehtësisht të aksesueshëm nga pushuesit në të gjithë vijën bregdetare. Kjo duhet të jetë sfida më e madhe që ka ky komitet sesi nëpërmjet krijimit të projekteve dhe lobimit të institucioneve buxhetore dhe donatorëve të huaj, të kemi mundësinë që të krijojmë infrastrukturë më të rregullt përsa i përket pikave turistike të këtij qarku”, u shpreh ministri Klosi.

Nga ana e saj, ministrja Margariti tha se janë marrë një sërë masash për të ofruar shërbim më cilësor ndaj pushuesve dhe turistëve, duke zgjatur e oraret e vizitave në muze dhe site, duke shtuar ciceronët, guidat, duke ofruar më shumë informacion, por edhe duke rritur numrin e vendeve të punës në shërbime që lidhen me turizmin kulturor.

“Jemi në fazën e rishikimit të biletave. Kjo është një nga kërkesat e para që na është bërë nga drejtuesit e siteve, muzeve dhe në fund të muajit do të kemi një relacion të detajuar, mbi statistikat dhe strategjitë e posaçme, që duhen zbatuar në secilin sit. Kjo do të na jepte mundësi të përmirësonim shumë aspekte, që lidhen me sitet arkeologjike dhe monumentet e kulturës, që nga mirëmbajtja, gërmimet arkeologjike, etj. Në parkun e Apolonisë po zhvillohen tri projekte gërmimesh dhe po zgjerojmë sinjalistikën. Ndërkohë vazhdojnë ndërhyrjet restauruese në kisha e manastire të zonës dhe do të vijohet edhe me restaurimin e afreskeve, që tërheqin më së shumti turistët e huaj”, u shpreh ministrja Margariti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit