SHBA-të paralajmëruan ndërprerje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sa rrezikohet Kosova?

Mos i humb

Në letrën e fundit të dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Qeverinë e Kosovës ku kërkohet të pezullohet taksa ndaj Serbisë, janë shfaqur edhe shumë pakënaqësi të tyre në raport me Kosovën.

Ata janë shprehur se një varg i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të shkëputen përfshirë edhe fushën e sigurisë.

Fillimisht, SHBA-të vendosen të anulojnë vizitën e planifikuar të Gjeneralit Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s në Kosovë, vizitë e cila kishte për synim bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë.

“Pasiqë pamë që kërkesat tona për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë”, thuhet në letrën e SHBA-ve.

Por, sa rrezikohet siguria në Kosovë, pa SHBA-të?

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka diskutuar me dy njohësit e sigurisë, Avni Islami dhe Ramadan Qehaja.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami është shprehur se kjo letër ka qenë një kërcënim i butë ndaj udhëheqësve të Kosovës, konkretisht ndaj kryeministrit Haradinaj.

“Pas dërgimit të letrës nga tre përfaqësues amerikan, drejtuar institucioneve të Kosovës, ku decidivisht në një formë apo tjetër, konsiderohet si një kërcënim i butë ndaj udhëheqësve të Kosovës, në këtë rast ndaj kryeministrit i cili ngul këmbë se taksa është e drejtë gjë që me të vërtetë sa i përket taksës kryeministri ka të drejtë, mirëpo para një shteti të fuqishëm, para një pararoje të demokracisë në botë, para amerikanëve nuk është mirë të ngulet këmbë, kushdo qoftë, edhe nëse është gabim të hiqet taksa”, është shprehur Islami për lajmi.net.

Islami ka potencuar se kur SHBA-të japin një rekomandim, ai duhet të respektohet pasi këta të fundit e mbajnë premtimin.

“Kësisoj nuk do të doja të mendoja që marrëdhëniet me SHBA-të, mund të cenohen për shkak të kësaj takse, por që kur institucionet e Amerikës japin një rekomandim, ata e mbajnë premtimin”, është shprehur Islami.

E sa i përket sigurisë në Kosovë, Islami është shprehur se nuk mund të rrezikohet pasi që Amerika në asnjë mënyrë nuk do të lejonte që Kosova të rrezikohet nga një palë tjetër, shkruan lajmi.net.

“Mirëpo sa i përket sigurisë së Kosovës, mendoj që asnjëherë nuk do të rrezikohet dhe nuk do të lejojë Amerika që Kosova të rrezikohet nga pala tjetër, sepse për fat të mirë, kushtimisht, Kosova gjendet në Evropë, dhe jo rastësisht thuhet se është bombë e kurdisur e Ballkanit e që realisht nga Ballkani kanë filluar edhe luftërat”, tha Islami.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë asnjëherë që Serbia dhe Rusia të përfitojnë nga kjo situatë.

“Kështu që në planin gjeopolitik dhe gjeostrategjik, amerikanët do të qëndrojnë çdoherë në krah të Kosovës, pasi nuk do të lejojnë që Serbia dhe Rusia të shtrijnë ndikimin e tyre përmes shqiptarëve. Në asnjë rrethanë nuk mendoj se siguria e Kosovës rrezikohet, për shkak se miqësia me SHBA-të është e përhershme. Nuk duhet të merret si tragjike pse institucionet e republikës së Kosovës kanë marrë një vendim të tillë”, vazhdoi më tutje Islami

Krejt në fund ai është shprehur se kryeministri duhet të dalë para popullit dhe të vendos për heqjen e taksës për hir të miqësisë me SHBA-të, dhe t’i bëjë thirrje popullit që t’i bojkotojnë produktet serbe.

Në anën tjetër, eksperti Ramadan Qehaja është shprehur se Kosova nuk guxon t’i prishë marrëdhëniet me SHBA-të.

“Është komplekse për arsye sepse vërtetë marrëdhëniet me SHBA-të nuk guxojmë asesi t’i prishim, aq më pak që ata janë shteti, superfuqia që na e mundësoj të jemi sot shtet”, tha Qehaja.

Ai e sheh si vendim të duhur vendosjen e taksës, por në të njëjtën kohë është shprehur se ende nuk janë dhënë argumente bindëse ndaj SHBA-së për këtë vendim.

“Mirëpo, në anën tjetër, kujtoj që hapi që e ka bërë kryeministri me taksën ndaj Serbisë, në momentet e një ofensive të Serbisë ndaj Kosovës, duke lobuar kundër njohjeve të Kosovës si dhe pengimit të anëtarësimit tonë vërtetë ka qenë momenti i duhur që kjo të ndodh. Unë kujtoj që duhet të bëhet një bisedë e thuktë duke shpjeguar pse ne e kemi bërë këtë, unë e di që kjo është shpjeguar në një mënyrë por nuk janë dhënë argumente bindëse.”, është shprehur Qehaja më tutje.

I pyetur në lidhje me sigurinë e Kosovës, pa SHBA-të, Qehaja është shprehur se nuk beson që SHBA-të do të heqin dorë tërësisht nga ndihma për Kosovën.

“Unë nuk mendoj që SHBA-të do të heqin dorë tërësisht nga ndihma për të ngritur gatishmërinë vepruese të FSK-së, pas dhënies së atributeve ushtarake sepse edhe SHBA-të edhe NATO janë të interesuara që ne të kemi një forcë mbrojtëse në Kosovë”, vazhdoi më tutje ai.

Qehaja po ashtu ka theksuar se SHBA-të mund të ndërpresin ndihmën në ndonjë segment por jo në tërësi, sepse siguria është në interesin e përbashkët sipas tij, jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin në tërësi.

Në letrën e dërguar nga SHBA-të së fundmi, thuhet se përveç fushës së sigurisë, do të zbehen marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve edhe në sfera të tjera të bashkëpunimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit