Shefqet Krasniqi apel Haradinajt: Hapi sytë burrë, mos e shkatërro shoqërinë me lojërat e fatit!

Mos i humb

Lojërat e fatit duhet të ndalohen me ligj, ashtu siç ka bërë Shqipëria, thotë hoxhë Shefqet Krasniqi.

Ai në një intervistë për KosovaPost ka bërë apel që kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj t`iu thotë stop lojërave të fatit, në të kundërtën, sipas tij, do pëson shoqëria kosovare.

Më tej, Krasniqi ka shpjeguar edhe atë se si e sheh feja islame përdorimin e lojërave të fatit. Sipas tij, lojërat e fatit janë të ndalura posi përdorimi i alkoolit.

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Është një prej punëve më të ndaluara. Përveç Kur’anit, këto vepra i ndalojnë edhe librat tjerë të shpallur nga Zoti. Allahu i Madhërishëm ua ka ndaluar njerëzve pirjen e alkoolit dhe lojërat e fatit në një ajët. Ka thënë: “Me të vërtetë dhe pa asnjë dyshim alkooli të gjitha llojet e tij, lojërat e fatit dhe të gjitha llojet e tyre janë vepra të ndyra të shejtanit të mallkuar”.

Sipas Dr. Shefqet Krasniqit, lojërat e fatit janë sherr, janë shkaktarë të dhunës në familje, të kriminalitetit, dhe janë shkaktarët kryesor që qojnë në vrasje dhe vetëvrasje të njerëzve.

“Lojërat e fatit janë sherr i vërtetë. Nuk ka të keqe në këtë dynja që nuk vjen prej aty, e që del nuk prej aty. Ka edhe shkaqe të tjera që qojnë kah dhuna në familje, kah vetëvrasja. Por, ama, lojërat e fatit janë ndër shkaqet kryesore të dhunës në familje dhe shkatërrimit të familjes”.

Ai nuk pajtohet se me koncept-dokumentin e miratuar nga qeveria do të rritet zhvillimi ekonomik e mirëqenia sociale. Ai thotë se shoqëria shkatërrohet nga të gjitha aspektet nëse rritet numri i lojërave të fatit.

“Kjo shoqëri duhet t`i thotë stop lojërave të fatit deri në kiamet, çdo lojë, çdo bixhoz, kumarhane duhet të ndalohet me ligj. E nëse dëshirohet për njëmend të shkatërrohet kjo shoqëri, atëherë le të lejohet hapja e tyre në çdo rrugë, e në çdo vend….”.

Dr. Shefqet Krasniqi ka frikën se përkrahësit e lojërave të fatit do të mallkohen nga gjeneratat që vijnë. Ai propozon që Qeveria e Kosovës të merr për shembull qeverinë në Shqipëri.

“I bëjë apel kryeministrit tonë të shikojnë në vëllezërit tanë përtej kufirit. Ata kanë avancuar mirë në këtë drejtim”.

Krasniqi ndërlidh lojërat e fatit me shitjen e armëve dhe drogës. Sipas tij, nuk ka dallim mes një individi që shet armë e cila vret njerëz dhe lojërave të fatit që vrasin gjithashtu, por në mënyrën e vet, raporton KosovaPost.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës, ka miratuar koncept-dokumentin, përmes së cilit synohet të rregullohet veprimtaria e lojërave të fatit. Sipas këtij koncept-dokumenti, përfitimet do të jenë të mëdha. Zhvillimi ekonomik, rritja e vendeve të reja të punës, rritja e investimeve të huaja direkte, mirëqenia sociale e të tjera, janë vetëm disa prej tyre./KosovaPost/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit