Shenja shizme në Kuvendin e PD-së dhe a po “gatuhet” Majlinda Bregu nga BE si kreu i ardhshëm i së djathtës?

Mos i humb

Kongresi, apo siç quhet me statut të PD-së-Kuvendi Kombëtar i mbylli punimet me një përfundim të qartë.

Lulzim Basha mbylli “ligjërisht” problemet e brendshme, por ai nuk arriti të rifusë në parti të larguarit e vitit të shkuar. Që do të thotë: ish-ministrat, ish-drejtuesit e lartë, ish-krerët lokale dhe të përjashtuarit e një procesi që ka nisur që me garën Basha-Olldashi në verën e vitit 2013.

Astrit Patozi, që është kreu i një lëvizje të brendshme e cila nuk pajtohet me lidershipin e selisë blu, tha se Basha vuri “murin e Berlinit që ndan demokratët”. Një cilësim përveç metaforik edhe qartësisht politik.

Sipas Patozit, ka një kufi të qartë dhe legal mes PD-së zyrtare dhe grupit të larguar. Një kufi që parashikon një rrugë të ndryshme politike të kundërshtarëve të Lulzim Bashës. Një kufi që parashikon qartësisht një shizmë politike brenda së djathtës.

Po sa hapësirë politike ka një shizmë brenda llojit në vend?

Precedentin politik në vend e ka dhënë Ilir Meta me LSI-në, që nga shizmë e së majtës u kthye në forcën e tretë apo faktorin politik tjetër në vend. Por natyrisht LSI-ja nuk është i vetmi model.

E djathta shqiptare ka pasur një model shizme të suksesshëm që ka qenë “E djathta e Bashkuar Shkodrane”, e cila si shizmë arriti të konkurronte me PD-në në vitin 1996 dhe të fitonte kreun e Bashkisë së Shkodrës. Inercia e saj arriti të merrte edhe një deputet në zgjedhjet e vitit 1997.

Por gjatë viteve ka pasur modele sporadike që nuk arritën të ngjizen politikisht.

I fundit, vetëm 3 vjet më parë ishte Gjergj Bojaxhiu, i cili mori 16 mijë vota të pakënaqura në kryeqytet duke garuar si alternativë e Erion Veliajt dhe Halim Kosovës. Por Bojaxhiu u “shkri” gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2015.

Ndoshta ky dështim i lëvizjes së re të ish-politikanit të PD-së, justifikohet me luftën e padrejtë që i bënë të mëdhenjtë, por ka shumë gjasa që kjo të ketë ndodhur edhe si pasojë e përgjumjes politike të lëvizjes së re.

Bojaxhiu nuk arriti të prekë zemrat e së djathtës për t’i bërë për vete.

A do të arrijë Patozi, Bode, Topalli, Bensik Mustafaj, që të imponohen si një alternativë politike e Lulzim Bashës?

Deri tani, kjo lëvizje ka luajtur me kujdes që të marrë në distancë një miratim ose mos kundërshtim nga Doktor Berisha. I vetmi që nuk e ka kompleksin e doktorit është Besnik Mustafaj, ish-mik i afërt i Sali Berishës dhe më pas kritik i tij.

Në një pamflet që ka shkruar së fundmi, Mustafaj bënte thirrje për një rrugë të re rinovuese që formacioni i ri politik duhet të marrë pavarësisht Lulzim Bashës e mbi të gjitha Sali Berishës.

Emërimi i Majlinda Bregut, ish-ministres së Berishës në një post të lartë të BE-së, çuditërisht është shoqëruar jo nga një distancim i saj nga politika.

Përkundrazi, që në ditën që ka marrë votat si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu nuk po lë rast pa sulmuar Lulzim Bashën. Ç’ka po perceptohet si sinjal se promovimi i saj, më shumë si një post burokratik është një rol politik që do t’i siguronte një të ardhme në politikën shqiptare. Një të ardhme që natyrisht pritet të bëhet brenda së djathtës. Një rol që nuk e arrit as Bamir Topi, megjithëse pati përkrahje në strukturat e PD-së por edhe në militancën e djathtë, e që në fund u perceptual si një aleat i Edi Ramës.

Edhe Majlinda Bregun, PD-ja zyrtare po mundohet ta dizenjojë si politikane të emëruar nga kryeministri i sotëm.

Megjithatë, ka shumë gjasa që me rrjedhjen e ujrave të brendshme dhe mbi të gjitha ato ndërkombëtare, kur Shqipëria të hapë negociatat me BE-në, Majlinda Bregu mund të rikthehet si politikanja e djathtë që ka përkrahjen e duhur të Bashkimit Europian. Madje e kanë përgatitur për një rol të ardhshëm politik.

Duket nuk është rastësi që mandati i Bregut në RÇ mbaron në janar të vitit 2021; pikërisht 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare ku Edi Rama mbyll mandatin e dytë. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit