Shkëmbim përvojash mes Kosovës dhe shteteve fqinje për trashëgiminë kulturore

Mos i humb

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bërë bashkë në një takim në Prishtinë për t’i shkëmbyer përvojat për ruajtjen e trashëgimisë kulturore me punëtorinë “Mbrojtja e përkohshme si masë paraprake në procesin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore”.

Në këtë takim u kërkua që të vijojnë dhe të intensifikohen veprimet e përbashkëta për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kulturë, tha se rëndësia e këmbimit të përvojave është e domosdoshme sidomos për vendet si Kosova e cila nuk ka ndonjë traditë në këtë fushë.

“Për trashëgiminë kulturore nëse ka pasur ndonjë kujdes, e kanë bërë të tjerët për shumë dekada. Gjatë gjithë asaj kohe më tepër mund të flitet për dëmtimin e trashëgimisë kulturore se sa për ruajtjen e saj. Ose është bërë përpjekje që në njëfarë mënyrë një pjese të asaj që quhet trashëgimi kulturore t’i kushtohet rëndësi e veçantë, kurse një pjese tjetër që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve ka pasur qëndrim dhe veprime tjera”, tha Kurteshi, sipas të cilit tani janë krijuar kushtet shtetërore që trashëgimia kulturore të mbrohet.

Anëtari i Kabinetit për koordinimin e programeve për trashëgiminë kulturore nga Maqedonia e Veriut, Afet Jashari, tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë pasur në të kaluarën takime të tilla, ndërsa shpreson se do të hasin në mirëkuptimin e institucioneve nga shtetet pjesëmarrëse.

“Trashëgimia kulturore e të gjithë popujve që jetojnë në Ballkan është një ambasador dhe promovim dhe për t’i treguar botës se nëpërmjet mbrojtjes së trashëgimisë kulturore do t’u tregojmë të tjerëve edhe se institucionet tona si në Kosovë, si në Shqipëri dhe Maqedoni janë të përgatitura për të bërë më të mirën”, tha Jashari.

Drejtoresha e Politikave dhe Zhvillimit Kulturor në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Kozeta Angjeliu, tha se ky aktivitet do të shërbej për forcimin e bashkëpunimit tashmë të ngritur të institucioneve, nëpërmjet kalendarëve kulturore të përbashkëta, por edhe për krijimin e urave të reja të komunikimit gati në nivele të specialistëve.

“Trashëgimia kulturore nuk përcakton kufij. Në rajonin tonë dukshëm reflektohen ndërthyrje të vlerave, ngjashmëri të tipologjive e teknikave tradicionale, po ashtu edhe të materialeve, sepse jetojmë edhe në një territor. Për këtë arsye dhe nën qëllimin e përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duhet të vijoj dhe të intensifikohet ndërmarrja e aksioneve të përbashkëta në vlerësimin dhe në ruajtjen e trashëgimisë”, tha Angjeliu.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës së Kosovës, Vjollca Aliu, tha se janë duke shtuar angazhimin edhe më shumë në bashkëpunimin e institucioneve me pronarët e aseteve kulturore. Ajo tha se do të ofrohet edhe lehtësi për t’i mbështetur pronarët e aseteve jo vetëm në procesin e restaurimit të objekteve, por edhe shfrytëzimit të tyre me qëllim të përfitimit ekonomik. Këto, siç tregoi Aliu, janë duke u adresuar në projektligjin e ri të trashëgimisë kulturore, i cili është duke u hartuar.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka të drejtën t’i propozoj Kuvendit të Kosovës ndërmarrjen e masave të nevojshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe i ofron asistencë profesionale Kuvendit për plotësim-ndryshimet e ligjeve që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit