Shkenca i kthehet mjekësisë popullore, me bimët e Shqipërisë, Kosovës dhe Amerikës Latine

Mos i humb

Përhapja shumë e shpejtë e “mikrobeve vrasës”, të cilët janë rezistentë ndaj pothuajse të gjithë antibiotikëve të zakonshëm, ka rënë një këmbanë alarmi mes shkencëtarëve.

Nën këtë rrezik, mjekësia moderne po kërkon inovacion dhe kura alternative për infeksionet agresive.

Një nga hulumtuesit që po kërkojnë zgjidhje të tjera ndaj terapisë me antibiotikë, Dr. Cassandra Quave, ka një detyrë specifike, të krijojë receta dhe doza për bimët mjekësore tradicionale.

“Jemi në mes të një ndryshimi të madh drejtimi dhe na duhet të mendojmë në mënyrë jo të zakontë, pasi po humbasim luftën ndaj një prej patogjenëve më të këqij dhe ka gjithnjë e më tepër organizma rezistentë”, shprehet doktoresha, e cila punon në Universitetin prestigjioz të Emory në Atlanta.

Rezistenca ndaj antibiotikëve është shndërruar në një rrezik global dhe çdo vit vdesin rreth 700 mijë njerëz në të gjithë botën nga mikrobe rezistente. Deri në vitin 2050, kjo shifër mund të rritet në 10 milionë viktima në vit.

Sipas biologes dhe etnobotanistes, nuk ekziston një ilaç mrekullibërës që zëvendëson antibiotikët, por ka një varietet me mënyra për trajtim.

Për këtë arsye, shkencëtarja 39-vjeçare kalon pjesën më të madhe të kohës në fushat e Shqipërisë, Kosovës, Italisë dhe Amerikës Latine. Atje, ajo mbledh bimë me veti shëruese dhe flet me banorët vendas mbi përdorimin e substancave të bimëve.

Ajo ka marrë me vete rreth 500 specie të ndryshme në Atlanta, ku po i ekzaminon. Një nga këto bimë është edhe manaferra mesdhetare, rrënjët e së cilës eliminojnë mekanizmin mbrojtës të baktereve, pra aftësinë e tyre për të krijuar një mburojë të quajtur biofilm.

Megjithatë kërkimi mbi bimët mjekësore është ende në hapat e tij të parë. Ndërsa faza pasardhëse parashikon studimet paraklinike, e cila është një nga më të kushtueshmet.

“Kjo fazë është aq e vështirë sa shumë shkencëtarë e quajnë Lugina e Vdekjes, vendi ku mjekimet e palindura vdesin”, thotë Dr. Quave, duke shtuar se nuk ka ndërmend të dorëzohet./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit