Shkollat serbe nuk kontrollohen nga inspektorët e Kosovës

Mos i humb

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrje në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit. Ismajl Kurteshi, kryetar i komisionit, kërkoi nga drejtori i Inspektoratit që të sqarohen disa çështje të Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit, ku ndër këto paqartësi përfshihet Inspektorati i Arsimit si organ qendror i MASHT-it.

“Jemi në fazën e fundit të këtij ligji, por i kemi disa dilema, te Paneli i Artë. Inspektorati i arsimit të mbetet pjesë e Ministrisë së Arsimit apo të bëhet agjenci e pavarur. Një çështje e papërcaktuar ku kemi kërkuar nga MAShT ndihmë por që nuk është përgjigjur është përcaktimi i sanksioneve në përputhje me ligjet dhe masën e shkeljeve që e bëjnë trupa të ndryshëm, institucione arsimore”, ka thënë Kurteshi.

Drejtori i Inspektoriatit të Arsimit, Defrim Gashi, tha se ky mekanizëm duhet të mbetet brenda MAShT-it, sepse, sipas tij, është shtylla kryesore e Ministrisë për të cilën duhet të ketë informacione.

“Te neni 21 që ka të bëjë me sanksionet kundërvajtëse me gjobë, e kemi të shkruar. Si detyrë obligim e kemi kryer. Paneli i Artë është një komision që do të merret me trajtimin e ankesave, kërkesave që lidhen me procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, nëse një mësimdhënës konstaton se ndaj tij është bërë një padrejtësi ky “Panel i Artë” i njohur si komision që merret për trajtimin e lëndëve”.

Nezir Çoçaj, nga PDK, propozoi që ky mekanizëm të mos mbetet në kuadër të MASHT-it, por të bëhet agjenci. Sepse ky mekanizëm, sipas tij, duhet të jetë i pavarur nga politika.

“Unë kam thënë se jam i mendimit se si agjenci do të funksiononte më mirë bazuar në inspektoratin e arsimit në vende të tjera. Nuk kemi nevojë të mbajmë nën ombrellë të MAShT-it asnjë agjencion, MAShT duhet të planifikojë politika konkrete evropiane që t’i marrim si model më të mirë, e mbroj idenë të jetë agjencion”.

Nënkryetarja Müfera Srbica-Sinik, e konsideron problem faktin që inspektorët nuk dinë të flasin më shumë se një gjuhë.

“Në Prizren nga 8 inspektorë i kemi dy, një për komunitetin turk dhe boshnjak, ata problemin e kanë që nuk dinë shqip, por ne jemi munduar të bëjmë shtrirjen”, ka thënë Gashi.

Müfera Srbica-Sinik shtoi se nuk po kërkon asgjë më shumë veçse të futet brenda ligjit ajo e drejtë që inspektorët të dinë gjuhën dhe të integrohen të gjitha komunitetet, raporton ekonomiaonline.

Ndërsa Teuta Haxhiu ngriti zërin duke thënë se nëse Inspektorati i Arsimit bëhet agjencion dhe nuk mbetet nën ombrellën e MAShT-it, atëherë bordi i saj duhet të jetë apolitik.

Kryetari Kurteshi pyeti drejtorin Gashi se a inspektojnë shkollat edhe në gjuhën serbe.

Gashi tha se nuk inspektohen shkollat serbe, sepse, sipas tij, kjo është një çështje politike.

“Nuk i inspektojmë ato shkolla, nuk na përgjigjen neve. Kjo është më shumë se politike, kemi insistuar të marrim pjesë, na është rekomanduar që të jemi të vëmendshëm që mos të shkaktojmë probleme tjera”, ka thënë Gashi.

Ky projektligj u dërgua në Kuvend që Inspektorati i Arsimit të mbetet në kuadër të MAShT-it, ku u votua me 6 vota për.

Inspektorati ka për obligim:

T’i raportojë ministrit, jo sekretarit të përgjithshëm;

Të raportojë në Kuvend;

Zgjedhja e inspektorëve të bëhet edhe nga Kuvendi apo Qeveria, e jo vetëm nga ministri;

Nuk u votua kërkesa e deputetit Nezir Çoçaj dhe Abdyl Salihu që ky mekanizëm të bëhet agjenci. Dy vota ishin për krijim të agjencisë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit