Shkup, fillon projekti “Trashëgimia e Përbashkët Osmane”

Mos i humb

Ka filluar projekti “Trashëgimia e Përbashkët Osmane” i organizuar nga Shoqata për Edukim dhe Mendim “Fettah Efendi” në Shkup, me mbështetjen e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

Evenimenti me rastin e fillimit të projektit u organizua në sallën e konferencave të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, në të cilën morën pjesë kryetari i YTB-së, Abdullah Eren, përfaqësues të institucioneve turke në vend, akademikë dhe studentë.

Kreu i YTB-së, Abdullah Eren, në deklaratë për gazetarët, tha se në kuadër të vizitës së tij në Maqedoni ka zhvilluar takime me ministra.

Duke theksuar se në çdo shtet të Ballkanit organizojnë një program me titull “Shkolla Ballkanike e Rinisë e YTB-së”, Eren tha se në Maqedoni kanë filluar programin “Trashëgimia e Përbashkët Osmane”.

Ai tha se projekti është një program që do të zgjasë 12 muaj, në kuadër të të cilit do të ketë seminare, panele dhe puntori.

“Ne dëshirojmë që edhe vëllezërit tanë këtu, edhe ata në Turqi, të fitojnë një vetëdije të përbashkët rreth historisë. Për arsye se së bashku do ta ndërtojnë të ardhmen, edhe të kaluarën duhet ta shqyrtojnë dhe prej aty të nxjerrin një ardhmëri të përbashkët, ndërsa edhe historinë duam ta komentojnë kështu. Prandaj, filluam këto punime”, tha Eren.

“Dëshirojmë t’i afrojmë botat tona të mendimit”, shtoi më tej ai.

Ai gjithashtu theksoi se i kushtojnë rëndësi të madhe të rinjve, me ç’rast tha se projekti “Shkolla Ballkanike e Rinisë” pasi të finalizohet në tetë vende të Ballkanit, do të organizohet edhe një program final.

“Krahas kësaj, ne po ashtu kemi projektin e dhënies së bursave për studentët ndërkombëtarë. Në periudhën e ardhshme dëshirojmë të rrisim numrin e studentëve të cilëve u ofrojmë bursa në Ballkan. Shpresojmë që Ballkani multikulturor dhe multietnik këtë harmoni në vitet e ardhshme do ta çojë si një strukturë thelbësore e paqes, qetësisë dhe stabilitetit”, tha Eren.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Fettah Efendi”, Sevba Abdula, tha se projektin e realizojnë në mënyrë që të krijohet një marrëdhënie më korrekte me të kaluarën osmane.

Ai tha se historia osmane është një histori që nuk mund të injorohet nga popujt e Ballkanit.

“Si rezultat, mendoj se duke e injoruar periudhën osmane, do të kenë mangësi në aspektin e ndërtimit të identitetit dhe historisë së tyre. Në këtë kontekst, mendojmë se dhënia e një kuptimi më shkencor dhe më të kualifikuar historisë osmane në vend të luftërave, trazirave, heroizmave, për ne dhe ardhmërinë do të shkaktojë të nxjerrim shembuj më të mirë”, tha Abdula.

Nga ana tjetër, rektori i IBU-së, Mehmet Dursun Erdem, tha se organizimi i këtij aktiviteti në këtë univerzitet ka një kuptim të veçantë.

Erdem potencoi se Turqia me të gjitha institucionet e saj zhvillon punime në dobi të vëllezërve të saj në Maqedoni.

“Republika e Turqisë, njëjtë si mendësia dhe energjia e trashëgimisë osmane, është duke bërë gjithçka për të qenë e dobishme për vëllezërit e saj. Falënderojmë liderin, presidentin tonë Recep Tayyip Erdoğan për të gjitha këto shërbime, të gjitha gjërat e dobishme”, u shpreh rektori Erdem.

Pas fjalimeve, Ihsan Fazlıoğlu, ligjërues në Departamentin e Filozofisë pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin Medeniyet të Stambollit, ligjëroi në seminarin e titulluar “Hyrje në historinë e filozofisë – shkencës osmane nga aspekti i tematikës, metodës dhe qëllimit”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit