Shkup, protestuesit kërkojnë zbardhjen e “rasteve të montuara”

Mos i humb

Nën organizim të disa organizatave joqeveritare dhe familjarëve të të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave”, dhjetëra qytetarë shqiptarë u tubuan në sheshin “Skënderbe” në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër vendimit gjyqësor të shkallës së parë për rastin në fjalë.

Organizatorët të cilët ishin tubuar me moton “Të thajmë lot dhe të shërojmë plagë” kërkuan që rasti “Lagja e Trimave” të rikualifikohet dhe të kthehet në rigjykim, për shkak të siç thonë organizatorët, dhjetëra shkeljeve procedurale.

Kryetar i Shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politik në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, i cili është njëri nga organizatorët e tubimit, para të pranishmëve deklaroi se do të vazhdojnë të protestojnë derisa të përmirësohen “gabimet e shtetit” lidhur me këtë rast, duke përfshirë edhe rastet e tjera ku janë dënuar shqiptarët.

“Këto procese dhe të gjitha të tjerat që kanë ndodhur nga krijimi i Maqedonisë kanë prapavijë të qartë etnike dhe politike”, theksoi Pollozhani, sipas të cilit, në shumë raste ku janë dënuar shqiptarët “vendimi është shqiptuar me motive politike”.

Pas fjalimeve të disa organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, protestuesit marshuan deri para ndërtesës së Gjykatës së Apelit – Shkup, e cila ishte e rrethuar me forca policore të sigurisë. Pas disa minutave brohoritjesh para ndërtesës së Gjykatës së Apelit, protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Në fillim të muajit nëntor të këtij viti, Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi aktvendimin për 37 të akuzuarit të grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Tetë të akuzuar u dënuan me burg të përjetshëm, katër të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër morën dënime prej 12 deri në 40 vjet burg.

Të dënuarit u akuzuan për veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”. Prej të akuzuarve të cilët u ngarkuan me veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, 16 janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas i Gjermanisë, ndërsa pjesa tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.

Kujtojmë se më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë maqedonase. Gjatë përleshjeve u vranë tetë policë të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 40 të tjerë u plagosën. Në përleshje, po ashtu u vranë edhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit