Sholtes: Javën e kaluar ishim më optimistë për dialogun sesa tani

Mos i humb

Zhvillimet e fundit në Kosovë që pasuan vizitën e paautorizuar të përfaqësuesit të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç dhe arrestimi i tij nga Policia e Kosovës, e kanë vështirësuar edhe më shumë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Igor Sholtes, në një intervistë për Radion Europa e Lirë.

Eurodeputeti nga Sllovenia, Igor Sholtes, është raportues për Kosovën në Parlamentin Europian. Ai ka pasuar në këtë post, eurodeputeten Ulrike Lunacek.

Sholtes pret që Brukseli t’i intensifikojë kontaktet me Prishtinën dhe Beogradin për tejkalimin e tensioneve.

Ndërkaq sa i përket Kosovës dhe procesit të saj integrues, ai shprehet me bindje se pas ratifikimit të demarkacionit, në një të ardhme jo të largët, BE-ja do të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit, tani kjo çështje (liberalizimi i vizave) do të rikthehet në Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian. Aty ku është marrë vendimi për regjimin e lëvizjes së lirë, pa viza. Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë këtë me anë të shumicës së kualifikuar, kurse Parlamenti Evropian me një shumicë të thjeshtë vetëm e rikonfirmon vendimin për liberalizimin e vizave. Procedurat mund të zhvillohen relativisht shpejtë, sidomos nëse ka vullnet politik në Këshill, por po ashtu edhe në Parlament. Por, nisur nga diskutimet në Parlament, mendoj se vullneti aty ekziston që t’i hiqen vizat Kosovës. Mendoj se është me rëndësi për qytetarët e Kosovës që ata të mos përjashtohen nga një prej vlerave bazë dhe të drejtave në procesin integrues në BE, që ka të bëjë me lëvizjen e lirë”, tha ai.

Sholtes më tej shtoi se është me rëndësi që të ndërmerren sa më shpejt që të jetë e mundur hapat e nevojshëm për të vazhduar me procedurat dhe të jepen informatat e sakta për muajin kur liberalizimi i vizave do të bëhet realitet.

“Por, duhet ta theksojmë edhe atë që Komisioni Evropian në disa raste e ka përmendur se ratifikimi i kufirit me Malin e Zi është një prej kushteve më të rëndësishme, por ne nuk duhet të harrojmë se për Kosovën mbetet shumë me rëndësi edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është një proces që nuk duhet të ndalet as pas regjimit të lëvizjes pa viza, do të jetë një kriter i rëndësishëm që do të duhet të përmbushet edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian”, tha ai./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit