“Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte moment historik”

Mos i humb

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 ishte moment historik për të gjithë shqiptarët, vlerëson Blerim Berisha, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Sekretar i Shoqatave të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, dega në Prishtinë. Ai deri diku është i kënaqur me zhvillimet në Kosovë gjatë dhjetë viteve të kaluara, por nga politikanët pret që të punojnë më shumë në interes të qytetarëve, që të mundësohet liberalizimi i vizave dhe të ulet papunësia.

Me qëllim të luftës për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar në Kosovë, Blerim Berisha nga fshati Sharban i Prishtinës, iu bashkua si një 20 vjeçar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me vëllain e tij Besimin, i cili më 19 prill 1999 ra dëshmor në një ofensive të madhe, në vendin e tyre të cilin e kryen forcat serbe të sigurisë.

Berisha në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thekson se gjenerata e tij i kujton protestat shqiptare kundër regjimit të atëhershëm serb të viteve 1990 dhe situatën e vështirë në të cilën ishin shqiptarët atëherë, gjë që çoi në formimin e UÇK-së.

Ai kujton se së bashku me vëllain e tij, Besim Berisha, iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tetor të vitit 1998, kur filluan luftimet në rajonin e tyre kur nisi lufta nën udhëheqjen e Zonës Operative të Llapit.

“Në atë periudhë shtëpia jonë ka qenë në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas ardhjes së ushtrisë tonë të UÇK-së, shtëpia jonë ka qenë strehë e luftëtarëve të UÇK-së, sepse e kemi pasur edhe shtabin afër. Kishim vend ku kanë qëndruar ushtarët, ndërsa nëna dhe motra ime i kanë shërbyer ushtarët, kanë përgatitur ushqim dhe veshmbathje për ushtarët”, tha ai.

Berisha kujton shumë mirë fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave serbe më 24 mars 1999 duke theksuar se ky ishte një lajm shumë i gëzuar për shqiptarët, sepse ato ishin kohëra të vështira dhe kjo ka frymëzuar shpresën se liria do të vjen së shpejti.

Gjatë kohës së ofensivës së madhe më 19 prill, familja e tij iku në Prishtinë, ndërsa ai dhe vëllai i tij qëndruan për të luftuar dhe atëherë vëllai i tij 23 vjeç ra dëshmor.

Pas luftës, vazhdon me rrëfimin e tij Berisha, familja e tij nuk kishte se ku të kthehet, sepse të gjitha shtëpitë në fshat ishin të djegura kështu që ata morën me qira një shtëpi në Prishtinë, ku edhe sot jeton.

Berisha thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhjetë vjet më parë ishte një moment historik për të gjithë shqiptarët, sepse siç thotë ai, shumë gjenerata po prisnin që ajo ditë të vijë.

“Është moment i papërshkrueshëm, është moment historik. Shumë gjenerata janë flijuar për këtë ditë, që të përjetojnë këtë ditë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe dhashtë Zoti të punojmë së bashku për të mirën e vendit, që shteti të ecë përpara“, thotë Berisha.

Ai thekson se deri diku është i kënaqur me ngjarjet në Kosovë në 10 vitet e fundit, për shkak se disa procese kanë përparuar, por shton se ka procese për të cilat ende pret të ecin përpara, të tilla si liberalizimi i vizave.

“Shpresojmë që liberalizimi i vizave të jetë i shpejtë. Është çështje urgjente për Kosovën që të rinjtë të dalin jashtë, të studiojnë, të mësojnë e të lëvizin. Liberalizimi i vizave do të ndryshojë gjendjen në Kosovë, që të punojnë për të mirën e Kosovës, që Kosova të ecë përpara. Tani i kemi rastet që sportistët tanë po ecin dhe po na zbardhin fytyrën, ngrenë flamurin e Kosovës“, thotë ai.

Nga elitat politike, sidomos nga qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj, Berisha pret të marrë vendime që do të japin shpresë se do të bëhet më mirë.

“Përveç demarkacionit të miratohet dhe të hapet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Në rend të dytë vjen papunësia në Kosovë. Papunësia është shumë e madhe në Kosovë. Qeveria e Kosovës duhet të punojë që të hap vende të reja pune, për të rinjtë tanë, sepse e kemi një rini shumë të mirë, që Evrppa na ka lakminë. Vetëm duhet punë për t’i gjetur rinisë”, thotë Berisha.

Nga dialogu me Serbinë, që po mbahet në Bruksel, ai priste më shumë, por shpreson se zgjidhja përfundimtare do të vijë tani dhe Serbia do të njohë Kosovën si shtet. Ai gjithashtu porosit qytetarët e Kosovës të jenë optimistë se Kosova do të ketë sukses dhe se do të ecë përpara, ndërkohë apelon tek liderët politik që të lënë mënjanë interesat e tyre partiake dhe të përqendrohen në interesat e qytetarëve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit