Shqetësimi për përdorimin e Vajit të Palmës, ky është arsyetimi i AUV

Mos i humb

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ditë më parë ka shprehur shqetësim të madh se Vaji i Palmës dhe produktet me yndyra bimore të cilat po shiten si produkte të qumështit po vazhdojnë të importohen dhe prodhohen në Kosovë pa asnjë pengesë.

Përmes një reagimi, kjo shoqatë ka kërkuar të ndërmerren hapa të menjëhershëm për t’i mbrojtur prodhuesit vendor të qumështit.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ata janë duke vazhduar monitorimin për përdorimin e vajit të palmës, karshi shqetësimeve të ngritura.

Megjithatë, përdorimi i këtij produkti nuk është i ndaluar.

Sipas Thaçit, Institucionet Ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian nuk kanë parashtruar asnjë masë për ndalimin e konsumimit ose përdorimit të vajit të palmës në produktet ushqimore apo të qumështit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përkundrejt shqetësimeve të Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, ka vazhduar me monitorimin e situatës së përdorimit të vajit të palmës në produktet nga qumështi si dhe të gjitha komunikimeve zyrtare nga autoritetet e BE-së lidhur me përdorimin e tij. Deri më tani, nga institucionet ndërkombëtare (shkencore dhe qeveritare) si dhe Komisioni Evropian , nuk janë ndërmarrë, parashtruar apo paralajmëruar masa për ndalimin e konsumimit ose të përdorimit të vajit të palmës në produkte ushqimore apo në produktet nga qumështi”, ka thënë ai.

Sa i përket përdorimit të vajit të palmës nga ana e prodhuesve vendorë, Thaçi thotë se AUV ka evidentuar prezencën e tij në disa produkte të qumështit. Mirëpo, sipas tij, ato janë deklaruar dhe prezantuar sipas rregullave.

Në anën tjetër, ai thotë se do vazhdojnë me kontrollimin e rregullt dhe në rast se do hasin në parregullsi, do ndërmarrin hapa.

“Kontrollet zyrtare tek të gjithë prodhuesit janë të organizuara sipas planit të kontrolleve zyrtare dhe në kuadër të tyre janë të përfshira edhe kontrollet lidhur me përdorimin e vajit të palmës apo vajrave tjera bimore tek produktet nga qumështi. Me ngritjen e kapaciteteve në Laboratorin e Ushqimit nga ky vit janë duke u testuar edhe produktet të cilat nuk janë të deklaruara dhe që potencialisht mund të kenë të zëvendësuar yndyrën e qumështit me atë të palmës”, ka shtuar ai.

Nëse hasim në parregullsi, gjithsesi se do të merren masat sipas akteve në fuqi.

Rritja e vazhdueshme e importit të vajit të palmës në vend ka bërë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), të kërkojë sqarime nga AUV, rreth përqindjes së lejuar për përdorim të këtij vaji./Mesazhi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit