Shqipëri, konferencë për të drejtat e njeriut

Mos i humb

Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë organizoi sot në Tiranë konferencën vjetore me temë “Sa kanë përparuar të drejtat e njeriut në Shqipëri”, në kuadër të 70-vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe 20-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë.

Në fjalën e saj në hapje të konferencës, Avokatja e Popullit e Republikës së Shqipërisë, Erinda Ballanca, tha se ky vit nuk ka qenë i lehtë, pasi ka pasur shumë çështje që kanë kërkuar vëmendjen e institucionit që ajo drejton.

“Si çdo dhjetor në kuadër të ditës së të drejtave të njeriut jemi së bashku për të ndarë përvojën e një viti të gjallë në shërbim të qytetarëve dhe për të bërë një analizë për të drejtat e njeriut”, u shpreh Ballanca.

Sipas saj, të drejtat civile të qytetarëve në disa raste janë gjendur përballë ngurtësisë së institucioneve shtetërore gjatë këtij viti.

Duke folur për të drejtat kushtetuese të qytetarëve, Ballanca tha: “Këto të drejta kanë nevojë më shumë se kurrë sot për mbrojtje të vendosur nga të gjithë. Në fokus të institucionit tonë në mënyrë të vazhdueshme ka qenë nevoja për një ndërgjegjësim nga ana e autoriteteve për zbatimin e ligjeve me frymë njerëzore dhe me respekt për dinjitetin human”.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, në fjalën e saj deklaroi se me gjithë progresin që është bërë ne fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, njerëzit në gjithë botën përballen me shkelje të të drejtave të njeriut.

Duke folur për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe mënyrën e adresimit të këtij problemi, Hysi u shpreh se “Shqipëria është një vend shumë i mirë për ratifikimin e konventave”.

“Legjislacioni shqiptar është në standarde të kënaqshme, por ende kemi probleme me sistemin e drejtësisë, i cili është mekanizëm i rëndësishëm i mbrojtjes dhe vendosjes së të drejtave të shkelura. Nuk njihen dhe respektohen të drejtat në sektorin publik dhe atë privat, në familje dhe në shoqëri. Ka një mungesë të informimit të mjaftueshëm ligjor për të drejtat dhe për institucionet ku mund të adresohen”, nënvizoi Hysi.

Më tej nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë shtoi se ajo që duhet luftuar më fort është adresimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut për shkak të abuzimit me pushtetin.

Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues nga Qeveria e Shqipërisë, nga misioni i OKB-së në Shqipëri, nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit