Shqipëri, mbahet aktiviteti “Shëtitësit e shkencës Ballkani 3”

Mos i humb

Qyteti i Shkodrës ka mirëpritur aktivitetin “Shëtitësit e shkencës Ballkani 3” në organizim të Medresesë Kartal (Anadolu Imam Hatip) të Stambollit dhe me mbështetjen e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

I organizuar edhe në bashkëpunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, aktiviteti në Pedonalen e qytetit para selisë së Bashkisë së Shkodrës, ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve të Turqisë, institucioneve të Shqipërisë, mësues dhe nxënës.

Në fjalën e saj përshëndetëse në hapje të aktivitetit, përfaqësuesja e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Fatma Ince, tha se me projektin në fjalë synohet të realizohet një rrugëtim interesant dhe tërheqës.

Ajo ka treguar se ndien një kënaqësi dhe privilegj të veçantë që si YTB mbështesin këtë projekt.

“Është një kënaqësi e veçantë për ne që gjendemi në një organizim kaq të madh ku mund të vëzhgohet se si të rinjtë nga Ballkani me anë të projektit ‘Udhëtuesit e shkencës’ janë duke u zhvilluar të ndërthurur me shkencën”, është shprehur Ince.

Drejtori i Medresesë Kartal, Mithat Tekçam, gjatë fjalës në aktivitet theksoi se projekti në fjalë ka filluar në vitin 2015 në Stamboll dhe sipas tij deri më tani në 3 kontinente dhe 11 shtete kanë mundësuar realizmin e një projekti të tillë.

“Bëhet fjalë për një projekt i cili mbështetet nga YTB dhe që realizohet tashmë sot në Shkodër, do të takohet me shkencëdashësit. Ne dëshiruam që nëpërmjet këtij projekti t’ua bëjmë sa më të dashur të gjithë nxënësve pjesëmarrës praktikën e shkencave të ndryshme. Nëpërmjet shkencës synuam të ndërtojmë ura vëllazërore mes nxënësve tanë, mes dy institucioneve dhe pa dyshim mes dy shteteve mike”, tha Tekçam.

Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” Shkodër, Kujtim Dervishi, u shpreh gjatë aktivitetit se projekti ka për qëllim rritjen e interesit tek të rinjtë për pjesëmarrje në veprimtari shkencore nëpërmjet aktivitetit praktik. “Kam bindjen që ky projekt do të kontribuojë jo vetëm në formimin shkencor dhe edukativ, por edhe në lidhjen miqësore të mëtejshme midis nxënësve, të rinjve të qytetit tonë dhe atyre të Stambollit”, tha më tej Dervishi.

Në stendat e hapura gjatë ditës së sotme përfshihen dhjetëra eksperimente nga fusha e biologjisë, kimisë, matematikes, informatikës, fizikës, robotikës dhe fusha të tjera, të realizuar nga nxënësit e Medresesë Kartal (Anadolu Imam Hatip) të Stambollit dhe Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër.

Projekti synon rritjen e interesit të shoqërisë për shkencën, ku nxënësit mësojnë duke praktikuar, ndërsa për herë të parë është realizuar në vitin 2015 nga Medreseja Kartal (Anadolu Imam Hatip) në Stamboll.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit