Shqipëri, prezantohet plani kombëtar i gjelbërimit të vendit

Mos i humb

Me rastin e 95-vjetorit të themelit të Shërbimit Pyjor në Shqipëri, ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, prezantoi planin kombëtar të gjelbërimit të vendit, ku synohet të mbillen mbi 20 milionë pemë deri në vitin 2020.

Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, Klosi tha se shoqëria duhet ta cilësojë pemën si simboli i jetës dhe mjedisin si pronë të përbashkët që duhet të mbrohet bashkërisht.

“95 vjet më parë vizioni i njerëzve të kohës për pyjet ishte mëse i qartë, pyjet shtetërore apo private konsiderohen pronë e përbashkët. Ligji detyronte që çdo shqiptar të kishte një mbrojtje rigoroze përsa i përket pyjeve dhe kullotave. Mjedisi është pronë e përbashkët, administrohet dhe mbrohet bashkërisht. Përvjetori i themelit të shërbimit pyjor është dita simbolike ku ne të prezantojmë planin tonë kombëtar të gjelbërimit të Shqipërisë. Të punojmë fort së bashku për të mbjell në Shqipëri 20 milionë e 200 mijë pemë brenda viti 2020. Pemët ne nuk i mbjellim vetëm për të bërë një aksion apo operacion, por ne kuptojmë qartë se shoqëria shqiptare duhet të rivlerësojë pemën si simbolin e jetës”, tha Klosi.

Sipas Klosit, ka ardhur koha që në aleancë me kryetarët e bashkive këto 20 milionë e 200 mijë pemë të mbillen aty ku bashkia dhe komuniteti i do për më shumë gjelbërim, sipas tij, për t’u ruajtur nga erozioni dhe për të krijuar vende kreative, që ju shërbejnë qytetarëve.

Duke folur për skemën që do të mbështesë aksionin e mbjelljes së pemëve, ministri Klosi tha: “Duhet që punën tonë ta shndërrojmë në një dashuri për natyrën, përpjekjen tonë në një punë të përditshme të nxënësve të shkollave, të mbjellim një pemë sot që gjatë gjithë kohës së shkollës të rritet me atë pemë. Do të punojmë për të ndërtuar kurora të gjelbërta në çdo shkollë të vendit dhe për të pasur mundësinë për një konkurs të brendshëm se kush nga shkollat e bën kurorën më të mirë”.

Në aktivitet ishte edhe zv.kryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore që kujdesen për mjedisin./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit