Shqipëri, shënohet Dita Botërore e Librit

Mos i humb

Në Shqipëri me disa aktivitete është shënuar Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit, ndërsa në fokus të tyre është nxitja e leximit.

Në aktivitetin e organizuar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës ishte e pranishme ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, drejtues të këtij fakulteti, studiues, botues, pedagogë dhe studentë.

Në fjalën e saj në aktivitet, ministrja Margariti tha se aktivitetet sot të janë shumta, por shtoi se ajo ka zgjedhur këtë fakultet sepse sipas saj ky institucion ka një vlerë të shtuar tek brezat e rinj.

“Janë pikërisht këta brezat që ne po synojmë që të mos humbasin kontaktin dhe lidhjen me librin, duke e parë atë si një dritare e cila do të na krijoj një vizion dhe të ardhme të re. Libri do të krijoj atë brez, i cili do t’i japë të gjithë kombit tonë atë zhvillim dhe krenari që e kemi mbartur në vite dhe që nuk duam ta humbasim”, u shpreh Margariti.

Duke folur për të drejtën e autorit, Margariti theksoi se është bërë shumë punë nga Ministria e Kulturës.

“Ligji i të Drejtës së Autorit ka kohë që ecën përpara dhe që vazhdon dhe përkufizon akoma edhe më tepër këtë nevojë të të gjithë shkrimtarëve, të të gjitha zhanreve të ndryshëm. Unë në muajt e parë të punës kam ndeshur shumë problematika që lidhen me të drejtën e autorit dhe mendoj që ka ende hapësira që ligji nëpërmjet akteve të ndryshme nënligjore të përkufizoj më mirë problematikat. Ajo që shikoj si nevojë është krijimi i urave të komunikimit, pasi gjithmonë duhen krijuar ura komunikimi”, deklaroi Margariti.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Sabri Laçi, në fjalën e tij tha se kremtimi i Ditës Ndërkombëtare të Librit është një traditë e bukur dhe e frytshme, pasi sipas tij sjell në vëmendjen e të gjithëve librin.

“Libri është diçka e pazëvendësueshme. Letërsia artistike mbizotëron pasi është ajo që na tërheq, pasuron shpirtërisht dhe që në fakt është si buka e përditshme”, u shpreh Laçi.

Më 15 nëntor të vitit 1995 me një rezolutë të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, 23 prilli u shpall si Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit. Aktivitetet e zhvilluara në kuadër të saj në Shqipëri fokusohen në rëndësinë e librit, si dhe kontributin dhe rëndësinë e krijuesve në progresin social dhe kulturor të shoqërisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit