Shqipëri, shtyhen pa afat masat kundër përhapjes së COVID-19

Mos i humb

Në Shqipëri janë shtyrë pa afat disa nga urdhrat për masat kundër përhapjes së koronavirsit të ri (COVID-19), që ishin vendosur deri më 3 prill .

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim në rrjetet sociale ka njoftuar se nga sot shtyhen pa afat urdhrat për masat ndaluese me qëllim kufizimin e përhapjes së COVID-19. 

“Qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e pandemisë: çerdhet, kopshtet dhe shkollat, të gjitha institucionet arsimore publike dhe jopublike. Baret, restorantet, lokalet, fast-food-et dhe strukturat akomoduese që ofrojnë shërbim për klientët. Do të jenë të ndaluara aktivitetet publike dhe jo publike dhe anulohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura”, njoftoi ministrja Manastirliu.

Sipas saj, shtyhen deri në përfundimin e situatës edhe urdhrat për ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara në të gjithë strukturat spitalore publike dhe jopublike.

Ndërkohë, gjatë datës së sotme, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Shqipërisë diskutoi në një mbledhje online për aktin normativ me fuqinë e ligjit “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, ku u theksua se rreziku dikton nevojën e masave të menjëhershme.

Aktualisht institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore dhe aktiviteteve të ndryshme, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve. 

Në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirusit, ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme. 

Numri i rasteve të konfirmuar me koronavirusin e ri në Shqipëri është 259, përfshirë edhe 15 personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa gjithsej mes tyre 67 të shëruar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit