Shqipëri, tryezë diskutimi mbi të drejtën e pronësisë

Mos i humb

 

 

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri (BE) organizoi një tryezë diskutimi mbi të drejtën e pronësisë dhe problemet e saj në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë si dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë.

Në fjalën e saj Gjonaj tha se shkëmbimi i ekspertizës dhe praktikave më të mira bashkë me krijimin e një rrjeti të fortë mes ekspertëve vendas dhe të huaj vjen si një kontribut për të orientuar për çështje kaq të ndërlikuara si çështja e pronës.

“Prona ka qenë për çerek shekulli objekt abuzimesh, transformimesh, tjetërsimesh. Në ndryshim sa është bërë në të shkuarën, Qeveria e Shqipërisë ka tashmë një vizion të qartë që bazohet mbi domosdoshmërinë për të gjetur një ekuilibër mes pozicioneve në mbrojtje të interesit publik si dhe rrugës për zgjidhje të balancuara dhe të qëndrueshme”, tha Gjonaj.

Sipas saj, zgjidhja e problemit të tokës është një nga sfidat më të vështira me të cilat përballet Qeveria e Shqipërisë.

Gjonaj duke folur për reformën e sistemit të menaxhimit të integruar të tokës, tha: “Kjo reformë ka për qellim krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të tokës si dhe një sistem të integruar të informacionit për tokën dhe për të konsideruar në mënyrë gjithëpërfshirëse të drejtën e pronës”, tha ajo.

“Dixhitalizim i sistemeve të pasurive të paluajtshme, përfshirë dhe hartografinë sipas standardeve për të mos lejuar më praktika korruptive dhe raste abuzimesh. Është hartuar plani veprimit, i cili adreson rekomandimet e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në terma afat shkurtër synojmë që brenda vitit të miratojmë reformë e kuadrit ligjor dhe institucional. Për këtë janë hartuar projektligjet për pronën që do të konsultohen gjerësisht me të gjithë aktorët e përfshirë”, u shpreh ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë.

Duke folur për kuadrin e ri ligjor, Gjonaj tha se synohet ngritja e një agjencie unike, e cila do të mundësojë integrimin e të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me pronën.

Në aktivitet është diskutuar për problematikat që kanë karakterizuar vitet e fundit të drejtën e pronësisë, hartimin e legjislacionit për këtë çështje dhe të tjera.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit