Shqipëri, tryezë diskutimi për mbrojtjen e mjedisit

Mos i humb

Në kuadër të “Konventës së Barcelonës”, në Tiranë është mbajtur takimi ndërkombëtar mes vendeve të Mesdheut mbi “Zonat e veçanta me ndjeshmëri mjedisore”, që kishte në fokus diskutimet mbi ndotjet që shkaktojnë anijet e mëdha në dete si dhe masat që duhen ndërmarrë për mbrojtjen e mjedisit.

I pranishëm në këtë tryezë diskutimi, ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, në fjalën e tij tha se ky takim është pjesë e përpjekjes së ministrisë që ai drejton për të menaxhuar siç duhet misionin që ka institucioni për të gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet ndryshimeve në botën e turizmit, ndërmjet zhvillimeve në botën e industrisë dhe ruajtjes së hapësirave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës.

“Është fakt që ministria është përpjekur që të bëjë të dyja pjesët e përpjekjes së saj. Jemi përpjekur të promovojmë Shqipërinë turistike, të krijojmë hapësira që në Shqipëri të ketë gjithmonë e më shumë investime në botën e turizmit. Gjithmonë e më shumë evidentojmë problematika që vijnë nga hapja më shumë e Shqipërisë, të më shumë turistëve që vijnë në vendin tonë”, tha Klosi

Sipas Klosit, prezenca e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në nismën e përbashkët të organizatave nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara vjen 100 për qind në këtë problematikë, “pra si e kemi ne mbrojtjen e hapësirës detare për ta shfrytëzuar atë për turizëm që të mos dëmtojë biodiversitetin e bregdetit”.

Duke folur për shqetësimet dhe problematikat në mbrojtjen e pasurive natyrore, Klosi tha se “kemi nevojë që me partnerët e vendeve të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor të kemi një dakordësi për të monitoruar njëlloj Detin Adriatik”.

“Deti Adriatik është një det që duhet të monitoruar në mënyrë unike ndaj dhe ne jemi pjesë e kësaj iniciative për të realizuar dy objektivat tona të mëdha. E para është zhvillimi i turizmit blu në Shqipëri, ta afrojmë detin shqiptar për të bërë më shumë turizëm. Ne kemi nevojë të promovojmë këtë pjesë të turizmit shqiptar që mungon. Sot do të diskutohet për të pasur mundësi që të bëjmë një planifikim siç duhet dhe të detit”, u shpreh Klosi.

Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga vende të ndryshme.

Shqipëria ka aderuar në vitin 2000 në “Konventën e Barcelonës” së nënshkruar në vitin 1976, ndërsa ka si synim mbrojtjen e mjedisit detar dhe të zonës bregdetare të Detit Mesdhe, parandalimin dhe shmangien e ndotjes nga mbeturinat e anijeve dhe të aeroplanëve dhe parandalimin e ndotjes nga lëvizja ndërkufitare e mbeturinave të rrezikshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit