Shuhet Gjykata Kushtetuese! Ikën edhe Altina Xhoxhaj

Mos i humb

 

 

Vettingu shkarkoi nga detyra gjyqtaren kushtetuese, Altina Xhoxhaj pas 23 viteve karrierë të nisur në gjyqësor në Shkallën e Parë të Tiranës, e të vazhduar më tej në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si edhe të mësimdhënies atje ku përgatiten brezat e gjyqtarëve e prokurorëve.

 Gruaja që mban gradën “Doktor shkencash”, e cila e nisi udhëtimin në gjyqësor në moshën 25-vjeçare, nuk u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit.

Altina Xhoxhaj mungonte gjatë dhënies së vendimit, ndërsa ishte e pranishme gjatë seancës dëgjimore, ku edhe këmbënguli se ishte në rregull me të treja shtyllat e vettingut, si pasurinë, ashtu edhe pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale.

“Me shumicë votash, vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, zonjës Altina Xhoxhaj”, deklaroi KPK.

Gjatë një seance të mëparshme, Komisioni i Vettingut, që është shkalla e parë, deklaroi se rezultonin të pajustifikuara disa nga pasuritë e gjyqtares kushtetuese, për të cilat Xhoxhaj replikoi duke kërkuar t’i llogariteshin edhe të ardhurat e bashkëjetuesit.

Kalkulimet i të ardhurave dhe shpenzimeve ishin shkaku i shtyrjes së vendimit që rezultoi negativ për gjyqtaren kushtetuese.

“Kalon testin e përputhshmërisë dhe bindshmërisë sipas asaj që ne kemi dorëzuar në dosjen përkatëse. Megjithatë, ligji parashikon edhe Apelimin dhe ne do të përdorim të gjithë mjetet ligjore për të ndjekur procesin. Jemi me bindje të plotë që do të kalojë për shkak të performancës së saj”, thotë avokatja e gjyqtares, Entela Shehu.

E vetmja që ka kaluar vettingun nga Gjykata Kushtetuese është Vitore Tusha, ndërkohë që nuk u konfirmuan nga Shkalla e Parë dy prej anëtarëve të rojes së Kushtetutës.

Tashmë presin vettingun nga kjo gjykatë edhe gjyqtarët Bashkim dedja, Gani Dizdari dhe Fatmir Hoxha. Për këtë të fundit në faqen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka nisur numërimi mbrapsht i orës, pasi në orën 11 të datës 7 maj Hoxha është në radhë për të dalë para vettingut.

Por, ndërsa edhe kjo e premte ishte e zezë për Xhoxhajn, për prokuroren e Apelit, Fatjona Memçaj ishte një ditë ogurbardhë. Komisioni i Pavarur i Kualfikimit shpalli konfirmimin në detyrë për magjistraten Memçaj, e cila pasi kaloi në filtrat e trefishtë të vettingut, rezulton të mos ketë pasuri të pajustifikuara e të fshehura, ka lidhje të përshtatshme dhe është e aftë profesionalisht.

Të shkarkuar nga Vettingu
1. Fatos Lulo , gjyqtar kushtetues
2. Altina Xhoxhaj , gjyqtare kustetuese
3. Besim Trezhnjeva, gjyqtar i apelit
4 . Besa Nikehasani , prokurore e Apelit

Konfirmuar në detyrë
1. Vitore Tusha, gjyqtare kushtetuese
2. Fatjona Memçaj, prokurore e apelit

Del ne daten 7 maj
1. Fatmir Hoxha, gjyqtar kushtetues

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit