Si mund të jesh afër Allahut gjatë ditës

Mos i humb

Këshilla të vyera të cilat me lejen e Allahut bëhen shkak për zgjidhjen e halleve dhe largimin e vështirësive.

Pastërtia gjatë gjithë ditës
Sa herë që të prishet abdesi, merre sërish me qëllim që të fitosh dashurinë e Allahut.
“Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (El-Bekare, 222)
Prej urtësisë së marrjes së abdesit është se ai është mburojë prej shejtanit.

Përkujdesja ndaj faljes së namazit të “duhasë” (paradites), me qëllim që të jesh nën mbrojtjen e Allahut prej padrejtësive të njerëzve.
Ky namaz mund të falet me dy dhe katër rekate. Në hadithin kudsij, Allahu thotë: “O biri i Ademit, fali katër rekate për Mua në fillim të ditës me qëllim që të jenë të mjaftueshme për pjesën tjetër të saj”.
Çfarë pret të të ndodhë ty, ndërkohë që të mjafton Allahu?!

Kur ha ushqimin e mëngjesit, drekës dhe darkës, madje edhe kur pi kafen, falënderoje Allahun; sepse Ai kënaqet me robin kur ai ha ushqimin apo pi ujë dhe e falënderon Atë.
Kur Allahu kënaqet me ty, kush do të jetë i pakënaqur me ty!
Pasi të përfundosh ngrënie e ushqimit, thuaj këtë lutje: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili më ushqeu dhe më furnizoi me këtë ushqim, pa asnjë mundim nga unë dhe pa aspak fuqi të timen!”
Profeti (a. s) na ka porositur se kush e thotë këtë lutje, është i falur nga gjynahet. Shiko, një lutje shumë e lehtë (që thuhet pas ngrënies së ushqimit), shkak për fshirjen e të gjitha gjynaheve (të vogla).

Përpara namazit të drekës (dhuhrit) është një kohë e madhe, gjatë së cilës hapen dyert e Xhenetit. Prandaj, kujdesu që, përpara namazit të drekës, të falësh katër rekate. E rëndësishme është që t’i lutesh Allahut në këtë kohë, gjatë së cilës shumë veta janë të pavëmendshëm ndaj mirësisë së saj, si mirësia e namazit dhe lutjes në pjesën e fundit të natës. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tregonte shumë kujdes ndaj faljes së katër rekateve sunet para namazit të drekës.

Lutjet e mbrëmjes fillojnë pasi është falur namazi i ikindisë
Kujdesu që të thuash: “Kërkoj mbrojtje me emrin e Allahut nga çdo keqbërës, emër ky me përmendjen e të cilit nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë dhe asnjë sprovë që zbret nga qielli!”
“O Allah! Më mbro nga shqetësimi dhe trishtimi,….”
Lutjet e mbrëmjes
Përpara perëndimit të diellit, angazhohu me “tesbihin”(madhërimi, falënderim dhe lartësimi i Allahut). E ku e di ti se çfarë është “tesbihu”!
Ai është derë e riskut (furnizimit).
Veçanërisht pjesë e tij është edhe kjo formë: “Allahu është i Dëlirë nga të metat. Lartësoj lavdinë e Tij!”. Kush e thotë këtë lutje i falen gjynahet edhe nëse janë sa shkuma e detit. Në lidhje me “tesbihun” në këtë kohë, Ibn El-Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:
“Kujt ia mundëson Allahu” të bëjë tesbihun “përpara lindjes dhe perëndimit të diellit, në shumicën e rasteve, atij i largohen shqetësimet dhe furnizohet nga ku nuk e pret.” Kur i Dërguari (a.s.) iu ankua Allahut për ngushtimin e zemrës, Allahu i Lartësuar tha:
“Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!”
Pas akshamit, krahas dërgimit të salavateve ndaj Profetit (a. s.), (e cila të largon ankthin), thuaj: “La haule ue la ku-uete il-la bil-lah” (S’mund të bëhet asnjë lëvizje dhe nuk ka fuqi për asgjë veçse me ndihmën e Allahut.), sepse kjo është derë e riskut dhe largimit të brengave.
Gjithashtu, edhe veprat e tjera të mira, ato i rrëzojnë gabimet ashtu siç lëshon pema gjethet e saj. Pra, veprat e mira bëhen shkak për fshirjen e gjynaheve; sepse belatë, me të cilat ballafaqohemi gjatë jetës, nuk zbresin, vetëm si ndëshkim për shkak të gjynaheve tona dhe nuk largohen, vetëm se me pendim.
Përpiqu që çdo ditë të japësh lëmoshë (sipas mundësive të tua), madje edhe një buzëqeshje ndaj shokut, ose largimin e një pengese nga rruga, ose dërgimin e një mesazhi islam ose publikimin dhe përhapjen e një tradite të Profetit tonë të dashur Muhamed (a. s.). E rëndësishme është që ti të japësh sadeka.
Shlyerja e gjynaheve, kur mbaron takimi a kuvendi. Përsërite këtë lutje në kohët e mëposhtme:
1-Pas marrjes së abdesit për çdo namaz
2-Pas çdo namazi farz apo vullnetar
3—Para leximit të Kuranit
4-Pas çdo kuvendi apo takimi.
Në mbyllje, ruaje gjuhën tënde nga përgojimi, sepse ai është derë e brengave në këtë botë dhe shkatërrimtari yt në botën Tjetër. Nëse je prezent në një kuvend ku bëhet përgojim, ndaloji përgojuesit nga marrja nëpërkëmb e nderit të muslimanëve, me qëllim që të ruash veten tënde nga zjarri i Xhehenemit.
Kur të biesh për të fjetur gjumë, mos ia lejo vetes që të flesh pa falur namazin e vitrit. Ki parasysh se kjo është porosia e njeriut më të mirë të njerëzimit Muhamedit (a. s).
Lexo vargjet e fundit të sures El-Bekare (Amenerr-rresulu bi ma unzile ilejhi mirr-rrabihi uel mu’minun.) Këto ajete me lejen e Zotit, të largojnë ankthin, padrejtësinë dhe të ruajnë nga shejtanet xhin dhe njerëz; të mbrojnë nga belatë dhe sprovat që t’i dërgon Zoti me qëllim që të të pastrojë prej gjynaheve. Këto ajete të mjaftojnë ty.
Mos e neglizho “dhikrin” lutjet e mëngjesit, të mbrëmjes dhe ato që thuhen pas çdo namazi, me qëllim që të të mbrojnë ty nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit