Si të Përgatisni Kungulleshka të Mbushura me Shijen më të Mirë

Mos i humb

Tregu shqiptar është i mbushur me kungulleshka, perimet e pasura me vlera ushqyese e shije të lehtë pavarësisht mënyrës se si i përgatit.

Të mbushura me oriz, sipas traditës së amvisave shqiptare, kjo recetë është ideale sidomos për vaktin e drekës.

Është një nga recetat më të shijshme në përgatitjen e kungulleshkave, të cilat pa dyshim janë fantastike në çdo gatim.

Një gatim special, i cili shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, por edhe me zahiretë e shijshme të nënave shqiptare, speca me gjizë, turshi të ndryshme etj.

Ndiqni më poshtë, recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org për të përgatitur këtë gatim të mrekullueshëm në shtëpinë tuaj.

Përgatitja e Kungulleshkave të Mbushura

Përbërësit

1 kg kungulleshka

2-3 kokrra qepë

1 filxhan çaji oriz

3-4 kokrra domate

1 filxhan çaji mish të grirë

Kripë

Piper

Kopër

Përgatitja

Kungulleshkat pastrohen, lahen dhe përmes një thike të mprehtë u hiqet pjesa e brendshme dhe krijohet një boshllëk për mbushjen.

Më pas, kalohen për skuqje të lehtë dhe lihen mënjanë.

Në një enë kaurdisen qepët e grira, shtohet mishi i grirë dhe kaurdiset, më pas shtohet orizi dhe kaurdisen së bashku për disa minuta.

Më pas, shtohen domtatet e qëruara dhe të grira në kubikë të vegjël, kripa dhe piperi.

Më pas hidhet ujë në masën sa dyfishi i orizit të përdorur. Pra, raporti i masës për orizin dhe ujin do jetë 1 me dy.

E lëmë masën të ziejë derisa orizi të përthithë krejt lëngun dhe të shkriftohet.

Pastaj hiqet nga zjarri, përzihet me kopër të grirë dhe ftohet pak.

Mbushen kungulleshkat me masën e përgatitur.

Sipër tyre, nëse preferoni hidhet salcë e kuqe e përgatitur me qepë të grira dhe më pas tava vendoset të piqet në furrë.

Nëse preferoni bashkë me kungulleshkat mund të mbushni edhe disa speca apo domate. Një mënyrë për ta bërë këtë pjatë edhe me më shumë larmi në shije.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit