Sikleti i Bashës me mikun Krischbaum dhe cili do të jetë mesazhi i Merkelit për Edi Ramën?

Mos i humb

Deklarata e deputetit të CDU-së Gunter Krischbaum, i cili njihet ndryshe si mik dhe aleat i Lulzim Bashës, gjë e treguar edhe gjatë kohës së çadrës, e vë në pozitë të vështirë kreun e opozitës shqiptare.

Në një mesazh në FB, deputeti gjerman shprehet haptazi kundër cceljes së negociatave. Por duke qenë në një fare mënyre “zëri europian”, ai “padashje” e ka vënë në siklet liderin demokrat, pasi një javë më parë nga Berlini Basha deklaroi se ka lobuar për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe se  vendimi i Brukselit për të dhënë vendimin pozitiv ishte rezultat edhe i lobimit të PD-së.

Por qëndrimi më i fundit njeriut më të afërt të PD-së në Gjermani, sikur e largon këtë tezë, sepse Krischbaum tha qartë dhe prerë se “kërkesa e Shqipërisë për të hapur negociatat është e papjekur politikisht”.

Duhet thënë se vetë deputeti i CDU-së, që nuk është thjesht deputet por kryetari i komisionit për Integrimin Europian në Bundestag, theu edhe fjalën që dha në intervistën për Deutsche Ëele një javë më parë.

Krischbaum deklaroi se do të priste vendimin e kancelares gjermane, njëkohësisht kreut të CDU-së për të dhënë qëndrimin e tij.

Por ai e dha paraprakisht.

Po kush e shtyu Krischbaum të japë qëndrimin e tij dhe sa do të ndikojë qëndrimi i saj tek Angela Merkel, e cila të mërkurën përpara Edi Ramës do të shpallë qëndrimin e saj politik?

Disa ditë më parë, media pranë PS-së e sulmuan Krischbaum si njeri pranë Putinit dhe ka gjasa që këto shkrime ta kenë zenmëruar deputetin e CDU-së.

Por si një gjerman që politikën e ndaj nga emocioni, vështirë që të ketë ndikuar zemërimi.

Ka shumë gjasa që edhe ata që e kanë sulmuar ta kenë ditur vendimin final të Krischbaum, edhe ky i fundit e ka dhënë qëndrimin e tij për të ndikuar tek Merkel.

Kancelarja Gjermane ka ftuar të mërkurën Edi Ramën në Berlin për t’i dhënë qëndrimin politik të saj për vendimin jo vetëm të Gjermanisë, në Samitin e Sofjes.

Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Merkel, por mësohet si aty do të bëhet e ditur gjithçka dhe për analogji-analizë mund t’i referohemi në precedentin e takimit me Vuçiç.

Dy javë më parë, Merkel, po në Berlin, i shpalli Presidentit të Serbisë qëndrimin pro-integrimit në BE, ama i vuri kusht. Kushti ishte zgjidhja e shpejtë dhe finale e çështjes së Kosovës. Pas takimit me Vuçiç, Merkel telefonoi  HashimThaçin dhe i përcolli të njëjtin qëndrim të qartë e të prerë.

Pra, që Berlini kërkon si nga Prishtina ashtu dhe nga Beogradi, një kompromis final për Kosovën, kompromis që do të sjellë njohjen e ndërsjelltë të Kosovës dhe Serbisë nga të dy palët.

Në një farë mënyrë Berlini ka hyrë në këtë lojë për të dhënë një shembull të qartë të rolit të tij ndërkombëtar, i cili është në një farë mënyrë alternativa e Uashingtonit në Politikën e Jashtme.

Nëse merret parasysh investimi mbi 5-vjeçar i Angela Merkelit në Ballkan që nga viti 2013, si një proces që ka brenda prestigjin ndërkombëtar të Gjermanisë, atëherë analiza është më e qartë.

Berlini ka investuar në Ballkan: para, diplomaci dhe mbi të gjitha vëmendje politike që synojnë të ndërtojnë një profil të rëndësishëm politik të Gjermanisë, tashmë si një shtet kyç në botë.

Duke qenë se është vendi më i fuqishëm ekonomik pas SHBA-së, Berlini kërkon ta demonstrojë këtë edhe politikisht, sidomos në kontinentin ku është kontributori real dhe i pazëvendësueshëm, pra në Europë. E sidomos në Ballkan, që është një rajon brenda Europës, ku SHBA, Rusia, Turqia, madje edhe Kina kërkojnë të kenë rolin e tyre, ndërkohë që Gjermania me arsye kërkon të jetë “dora e parë” në këtë operacion.

E krahasuar me Lindjen e Mesme, që e ka në patronazh SHBA-ja, çështja e Kosovës mund të quhet në një farë mënyre si “Palestina europiane”.

Dhe nëse ja del kjo, pra nëse Serbia do të njohë Kosovën dhe kjo e fundit do të jetë anëtare e OKB-së, atëherë do të shënohet një sukses shumë i rëndësishëm botëror që do të duhet të ndryshojë përfundimisht ekulibrat në Europë dhe botë.

Që do të thotë se me Britaninë e Madhe të larguar nga BE-ja, kjo e fundit nuk është më ajo forcë potenciale që të meritojë qënien si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe Gjermania mund ta kërkojë hapur dhe pa problem këtë vend.

Ndaj, edhe mbështetja për Shqipërinë në BE, duket se është pjesë e këtij roli shumë të shtuar të Gjermanisë.

Duke ju referuar precedentit Vuçiç, Merkel nuk e ka ftuar Edi Ramën në Berlin për ta “gjuajtur me shuplakë”, pra për t’i thënë: “zotëri i dashur të thirra për të thënë se ne nuk do t’i hapim negociatat”.

Po të ishte kështu, thjesht i dërgonte një letër apo një qëndrim me ambasadoren gjermane në Tiranë.

Por ftesa është dukshëm një sinjal i qartë në vetvete, se Merkel do të thotë “Po”.

Problemi është thjesht si do të jeshtë “Po”-ja, me kusht apo pa kusht dhe si do të shtrohet kushti?

Sipas të gjitha gjasave ajo do të kërkojë një vullnet për të treguar me vepra se po luftohet korrupsioni në vend.

Pra ajo që rëndom po quhet një “peshk i madh”. Nëse Merkel i kërkon Ramës një “peshk të madh” do të thotë përfundimisht se ky i fundit është jashtë rrjetës dhe diskutimi mbyllet.

Duhet nënvizuar një fakt për të analizuar zhvillimet. Dy vjet më parë, Edi Rama pas një vizite zyrtare në Gjermani, ku nuk takoi Merkelin por ministrin e saj të Jashtëm, shkarkoi Saimir Tahirin nga ministër i Brendshëm.

Po kur të vijë nga Merkeli ç’do të ndodhë? Burime diplomatike flasin për tërmet…

Sa për kujtesë: një javë para arrestimit të Ivo Sanaderit, kryeministrja kroate Jadranka Kosor ishte për vizitë zyrtare në Gjermani! /tesheshi.com/

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit