Siri, evakuohen mbi 50 mijë persona nga Guta Lindore

Mos i humb

Autokolona e 16-të e cila bart personat që janë detyruar të evakuohen nga Guta Lindore, nën rrethimin e regjimit sirian të Bashar al-Asadit dhe përkrahësve të tij arriti në qarkun Bab të rajonit të operacionit “Mburoja e Eufratit”.

Autokolona prej 13 autobusësh e cila bart disa civilë që dëshirojnë të largohen nga qarku Duma, pika e fundit e evakuimeve të detyrueshme nga rrethimi i regjimit dhe përkrahësve të tij, arriti në qarkun Bab, nën kontrollin e opozitarëve.

Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Bab, në autokolonën e 16-të, e cila bart civilët në kuadër të evakuimeve të detyrueshme që nisën më 22 mars në Gutën Lindore, ndodhen 633 persona prej të cilëve 233 fëmijë dhe 180 gra.

Të evakuuarit do të vendosen në qendra të përkohshme banimi në qytezën Kibbasin, pranë qarkut Bab.

Në kuadër të evakuimeve të detyrueshme më shumë se 50 mijë persona janë larguar nga Guta Lindore.

– Procesi që çoi në evakuim

Asadi dhe mbështetësit e tij pasi morën mbështetjen ajrore të Rusisë më 19 shkurt nisën një operacion për të marrë nën kontroll Gutën Lindore e cila gjendet nën kontrollin e opozitarëve. Që nga kjo datë regjimi dhe avionët luftarakë të Rusisë intensifikuan sulmet ajrore dhe tokësore në rajonin ku jetojnë rreth 400 mijë civilë.

Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën një numër i madh civilësh. Gjithashtu si pasojë e shtëpive të shkatërruara dhe sulmeve, civilët u strehuan nëpër bunkerë dhe strehimoret nëntokësore.

Më 24 shkurt, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi rezolutën e cila kërkon armëpushim në Siri, veçanërisht në Gutën Lindore, për civilët. Megjithatë, në Gutën Lindore e cila i nënshtrohej sulmeve intensive të regjimit dhe të përkrahësve të tij, vazhdonin humbjet e jetëve të civilëve duke mos dhënë rezultat as iniciativat e komunitetit ndërkombëtar.

Pas vendimit të KS-OKB-së, edhe Rusia më 27 shkurt bëri të ditur se çdo ditë mes orës 09:00 dhe 14:00 do të jepet armëpushim humanitar në Gutën Lindore duke pretenduar se regjimi do ta respektojë atë.

Pavarësisht rezolutës së armëpushimit, në fillim të muajit të kaluar regjimi sirian dhe aleatët e tij filluan një ofensivë të madhe tokësore, që synonte pushtimin e pjesëve të provincës që ishin nën kontrollin e opozitarëve.

Regjimi dhe përkrahësit e tij, duke avancuar nga lindja për në perëndim të Gutës Lindore mes datave 11-12 mars, rrethuan qarkun Haresta dhe ndanë në 3 pjesë rajonin e Gutës Lindore.

Në Gutën Lindore e cila ndodhet nën kontrollin e opozitarëve jetojnë rreth 400 mijë persona të cilët prej 5 vitesh janë nën rrethimin e regjimit të Asadit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit