S’ka vizë amerikane për asnjë zyrtarë shtetëror të Kosovës!

Mos i humb

Burime të Periskopit brenda Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se nga tani e tutje nuk do të shqyrtohet asnjë aplikacion i asnjë zyrtari shtetëror që aplikon për vizë amerikane.

Kjo masë ndëshkuese është ndërmarrë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për mos heqjen e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake dhe ndikimin negativ të saj në fazën finale në dialogun me Serbinë.

Kështu, përveç presidentit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacollit, dhe zyrtarëve tjerë që tashmë kanë viza, askush tjetër nuk do të mund të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, e cila do të mbahet në javën e parë të muajit shkurt në Uashington D.C.

Në Lutjet e Mëngjesit nuk do të mund të marrë pjesë as kryeministri Ramush Haradinaj, pasi nuk është shqyrtuar fare aplikimi i tij.

Sipas vendimit të Ambasadës, asnjë kërkesë për vizë nuk do të refuzohet apo pranohet, por asnjë prej tyre nuk do të shqyrtohet fare.

Ky vendim vlen për të gjithë zyrtarët shtetëror, përfshirë opozitarët, dhe se ai do të mbetet në fuqi deri në shqyrtimin e vendimit për taksën nga Qeveria.

Nga Zyra e kryeministrit për çështjen e vizës së Haradinajt, kanë thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ende nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth çështjes së vizës për zotin Ramush Haradinaj. E vetmja arsye pse kryeministri do të udhëtonte për në SHBA janë Lutjet e Mëngjesit, e jo ndonjë konferencë”.

Në anën tjetër, në media ishte raportuar se Departamenti Amerikan i Shtetit ia ka refuzuar Haradinajt vizën amerikane për shkak të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Derisa, edhe zyrtarë amerikanë vazhdimisht kanë bërë thirrje që të hiqet tarifa ndaj Serbisë, në të kundërtën përgjegjësit do të përballen me masa ndëshkuese.

Për këtë, javën e kaluar ishte mbajtur një takim i Haradinajt me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe ambasadorin e ShBA’së në Kosovë, Philip Kosnett.

Periskopi pati raportuar se në këtë takim, delegacioni kosovar ia kishte propozuar ambasadorit amerikan pezullimin e taksës për tre muaj shkaku i dialogut. Por, ky propozim ishte hedhur poshtë nga ambasadori amerikan, i cili ka kërkuar heqjen totale të taksës për afat të pacaktuar.

Haradinaj vazhdimisht ka deklaruar se Qeveria do të pezullonte përkohësisht tarifën vetëm pas garantimit ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për njohjen të ndërsjellë.

Derisa, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se bisedimet me Kosovën në Bruksel do të vazhdojnë vetëm në momentin që hiqet taksa.

Presion për largimin e taksës për produktet serbe ka bërë edhe Bashkimi Evropian, të cilët kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e kësaj mase në dialog. Për këtë, Johannes Hahn javë më parë kishte zhvilluar një vizitë në Kosovë, por nuk kishte arritur ta bindet Haradinajn që të zmbrapset nga vendimi i Qeverisë për taksën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit