Sot u varrosen edhe 86 viktima të tjera boshnjake të masakruara nga serbët

Mos i humb

Në stadiumin “Vedro Polje” në Hambarinë afër Prijedorit në Bosnjë e Hercegovinë u bë falja e namazit të xhenazes për varrimin kolektiv të 86 viktimave nga Prijedori dhe Kotor Varoshi të cilët u vranë në vitin 1992.

Viktimat janë të kombësisë boshnjake, mbetjet e të cilëve u ekshumuan kryesisht nga shkëmbinjtë e Koriçanës. Familjet pas gati 27 vitesh më në fund do t’i varrosin mbetjet e tyre të pakompletuara mortore dhe do të kenë një varr ku do të shkruhet emri i tyre.

“Drejtësia në këtë botë është e ngadaltë, por jo e paarritshme”, u tha në një tjetër me rastin e varrimit kolektiv në Prijedor.

Në heshtje sot, në stadiumin “Vedro Polje” afër Prijedorit, dëgjoheshin vetëm rënkimet e nënave, motrave dhe vëllezërve ndërsa lexoheshin emrat e 86 të vrarëve.

Gjatë tubimit me rastin e ceremonisë së varrimit të 86 viktimave boshnjake, me një minutë heshtje u nderuan dhe 5 katolikët të cilët u ekzekutuan po ashtu në shkëmbinjtë e Koriçanës.

Pas faljes së namazit të xhenazes, eshtrat e viktimave do të varrosen në varreza të ndryshme, në përputhje me dëshirat e familjeve të tyre. Numri më i madh i viktimave, 68 prej tyre, do të varrosen në varrezat e dëshmorëve Kamiçan ndërsa pjesa tjetër do të varrosen në varrezat e dëshmorëve Çarakovo, Hambarinë, Bishçani, Skela, Rizvanoviçi dhe varrezat e dëshmorëve Dabovci në Kotor Varosh.

Kryeimami i Mexhlisit të Bashkësisë Islame në Prijedor, Husein ef. Veliç tha se ata po marrin pjesë në një tjetër varrim kolektiv në këtë qytet në perëndim të BeH-së.

“86 dëshmorët dëshmojnë për të vërtetën që ka ndodhur në vitin 1992. Pas shkëmbinjve të Koriçanës dhe të gjitha varrezave masive, askush nuk ka të drejtë të mendojë të thotë dhe të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Boshnjakët nuk janë njerëz që ju urrejnë, por ata janë njerëz që mbajnë mend dhe me siguri do të ruajnë kujtimin e çdo gjëje që ka ndodhur nga viti 1992 deri në vitin 1995. Si dhe do të ruajmë kujtimin e dëshmorëve tanë “, tha Veliç duke shtuar se vetëm në bazë të së vërtetës mund të ndërtohet drejtësia, bashkëjetesa dhe pajtimi.

Në emër të familjeve të viktimave të pranishëmve iu drejtua Zijad Baçiç, i cili kishte mbijetuar krimet në Prijedor.

“Më është vrarë nëna ime, dy vëllezër dhe një motër. Çdo vit ne dërgojmë mesazh të paqes. Megjithatë, ne kemi edhe bashkëjetesën në Prijedor, por për të vërtetuar, bashkëqytetarët tanë në Prijedor duhet të na tregojnë se ku janë eshtrat e të dashurve tanë”, tha Baçiç.

Muftiu i Bihaçit, Mehmed ef. Kudiç theksoi se në zonën e Prijedorit 27 vjet më parë është kryer një krim.

“Më shumë se 3.176 banorë të Prijedorit u dërguan në kampet e përqendrimit, janë torturuar dhe më pas u ekzekutuan në mënyra të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Këtu jemi me familjet e viktimave që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë. Ata kërkojnë të vërtetën në lidhje me çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të krimit. Nga ky vend dërgojmë mesazhin e paqes dhe bashkëjetesës”, tha Kudiç.

Viktimat më të reja të cilët do të varrosen sot janë të rinjtë të cilët në momentin kur ata u vranë të gjithë ishin të moshës 19 vjeçare: Samir (Sadik) Gariboviç, Emir (Kemal) Gjonlagiç dhe Suad (Meho) Kljajiç. Suadi do të varroset bashkë me të atin, Meho.

Viktima më e vjetër që do të varroset këtë vit është Beqir (Adem) Beshiq i lindur në vitin 1931.

Babai dhe djali Hajrudin dhe Jasmin Elezoviç, vëllezërit Edin dhe Emir Elezoviç dhe Fahrudin Elezoviç do të gjejnë prehjen e fundit.

Sharif dhe Zafir Bajriç, vëllezërit Zuliç, Mirsad dhe Suad, vëllezërit Jakupoviç, Armin dhe Dedo, vëllezërit Grabiç Mustafa dhe Vejsil, vëllezërit Sivac, Nexhad dhe Edin do të varrosen së bashku.

Në faljen e xhenazes së viktimave përveç të afërmve më të ngushtë, morën pjesë miqtë, fqinjët, anëtari i Presidencës së BeH-së Shefik Xhaferoviç dhe Zëvendëspresidenti i Republikës Sërpska, Ramiz Salkiç.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit