“Spiderman”-i nga Mali shpëton fëmijën në Paris, Macron i jep nënshtetësinë dhe i gjen punë

Mos i humb

Një emigrant nga Mali është heroi i ditës në Francë, pasi ngjiti pa asnjë lloj mbrojtjeje 4 kate të një ndërtese të Parisit për të shpëtuar një fëmijë që ishte duke rënë nga ballkoni.

Pamjet filmike të ngjitjes spektakolare të Mamoudou Gassama dhe kapjes së fëmijës, duke i shpëtuar jetën, janë përhapur me shpejtësi në mediet sociale. Brenda më pak se një minuti, i riu 22-vjeçar është kacavjerrë nga një ballkon në tjetrin, duke mbërthyer në kohë fëmijën, që fqinji i vet mezi po arrinte ta mbante.

Mamoudou ishte duke ecur në rrugë, kur pa turmën e njerëzve të mbledhur poshtë pallatit, e më pas të miturin që mund të rrëzohej nga moment në moment. Ai nuk u mendua gjatë, por nisi menjëherë të ngjitej, edhe pse ishte shumë e rrezikshme.

I pyetur se çfarë e shtyu të vepronte ashtu, ai u përgjigj: Ishte një fëmijë atje lart, nuk mund ta lija, duhej ta shpëtoja.

Presidenti Macron e priti 22-vjeçarin në Pallatin “Elize”, ku e falënderoi personalisht. Prej gjestit të tij spontan, emigranti tani do të marrë nënshtetësinë franceze e do t’i bashkohet Repartit të Zjarrfikësve.

Falënderime i përcolli më herët edhe kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, e cila tha se Mamoudou kishte mbërritur nga Mali disa muaj më parë, me shpresën e një jete më të mirë në Francë.

“Qyteti i Parisit, – shtoi ajo, – do të jetë padyshim i prirur që ta ndihmojë në përpjekjet e tij”. Raportet në mediet franceze tregojnë se, prindërit e fëmijës nuk ishin në shtëpi kur ndodhi incidenti. E ëma gjendej jashtë qytetit, ndërsa i ati është marrë në pyetje nga policia, mbi arsyet që e shtynë ta linte fëmijën vetëm./Top Channe/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit