Sporti, fushëbetejë e re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Mos i humb

Ndeshja kualifikuese në kategorinë e femrave në grupmoshën nën 20-vjeç, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte parashikuar të mbahej më 23 mars në Beograd, e vlefshme për Kampionatin Botëror të Hendbollit që do të mbahet në Hungari, nuk është zhvilluar pasi atë e kanë penguar autoritetet e Serbisë.

Së fundmi, përfaqësueses së Kosovës në Karate, dy herë radhazi i është ndaluar hyrja në Serbi nga autoritetet e këtij shteti, për të udhëtuar drejt Novi Sadit, ku do të mbahet Kampionati Evropian i Karatesë, prej 10 deri më 13 maj.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës thotë se gjatë gjithë ditës së mërkurë, ky komitet ka qenë në kontakte me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si dhe me Federatat evropiane dhe botërore të karatesë. Pavarësisht përpjekjeve të këtyre dy mekanizmave ndërkombëtarë, sipas Hasanit, Qeveria e Serbisë e ka penguar hyrjen e sportistëve të Kosovës në shtetin serb.

Ai thotë se këta mekanizma ndërkombëtarë të sportit tashmë kanë kërkuar nga Kosova që t’i grumbullojë informatat dhe faktet lidhur me ndalimin e hyrjes në Serbi dhe ato t’ua dorëzojnë atyre.

“Këta përfaqësues të Federatës Botërore (të Karatesë) dhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i kanë marrë informatat vetëm nga pala serbe, do të thotë, arsyetimin nga ministri për Sport i Serbisë dhe ndoshta nga Ministria për Punë të Brendshme (e Serbisë). Por, këto informata fare nuk janë në përputhje me realitetin që ka ndodhur. Kështu që ne do t’i dërgojmë të gjitha informatat dhe dëshmitë, të cilat do të bien ndesh me atë që kanë thënë ministri për Sport dhe deklarimet tjera që i kanë bërë personalitetet relevante të pushtetit serb”, bën të ditur Hasani.

Ai thotë se deklaratat e autoriteteve serbe se Federata e Karatesë së Kosovës nuk e ka paralajmëruar vizitën në Serbi, si dhe pohimet se sportistët e Kosovës kanë dashur të hyjnë në Serbi duke deklamuar flamujt e Kosovës, janë krejtësisht të pavërteta.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me pengimin e pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës në Kampionatin Evropian që po mbahet në Serbi.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë veprim Serbia ka shkelur konventat ndërkombëtare si dhe Marrëveshjen e Brukselit. Siç thotë ai, arsyetimi i shtetit serb se sportistët e Kosovës nuk e kanë paralajmëruar vizitën në Serbi, është absurd dhe banal.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë vetëm me zyrtarë shtetërorë dhe politikanë të rangut të lartë, por jo edhe me sportistët ose edhe me njerëzit e artit, kulturës dhe të tjerë. Qeveria e Kosovës dhe kryeministri, kanë bërë një reagim publik dhe u është shkruar të gjitha institucioneve relevante evropiane. Kjo, jo vetëm që bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit për mospengim të Kosovës në nismat ndërkombëtare, por kjo, praktikisht, është diskriminim dhe bie ndesh me të gjitha konventat ndërkombëtare”, thekson Matoshi.

Ai shton se veprimi i Serbisë, mbi të gjitha, bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ndërkaq, Hasani thekson se arsyet e pengimit të sportistëve të Kosovës për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare që organizohen në Serbi, janë politike. Sipas tij, që situatat e tilla të mos përsëriten, priten ndëshkime ndaj mekanizmave të sportit në Serbi nga ana e mekanizmave ndërkombëtarë të sportit.

“Besoj që do të jetë shembulli i fundit që sportistët e Kosovës të pengohen. Këto janë pritjet tona. Por, tash relacionet ndërkombëtare janë pak të ndërlikuara, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me sportistët e Kosovës. Ka probleme edhe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, ndërmjet Spanjës dhe Katalonisë. Ka probleme edhe ndërmjet shumë shteteve tjera, si: Palestinës dhe Izraelit, Pakistanit dheIndisë dhe janë duke u bërë përpjekje që në paketë të zgjidhen të gjitha këto probleme”, shprehet Hasani.

Pika kufitare Merdare, ku u ndaluan sportisët kosovarë

Pika kufitare Merdare, ku u ndaluan sportisët kosovarë

Çështja e pengesave që shteti serb ka vënë përballë sportistëve të Kosovë, sipas Matoshit do të ngrihet edhe në dialogun e Brukselit.

“Sigurisht që do të diskutohet edhe në Bruksel. Por, edhe vetë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të duhej që ta sanksionojë Serbinë, e cila po e pengon mbarëvajtjen e garave ndërkombëtare duke e refuzuar Kosovën, sidomos të garave që po mbahen në Serbi”, thekson Matoshi.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Hasani, në orët e pasdites të së enjtes ka udhëtuar për në Beograd, ku do të mbahet takimi i komiteteve olimpike të vendeve evropiane. Siç ka theksuar ai, në këtë takim do ta shtrojë çështjen e pengimit të pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës nga autoritetet serbe në garat ndërkombëtare që organizohen në Serbi./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit