Supremja vendos, votat nga Serbia s’do të jenë pjesë e rezultatit të zgjedhjeve – Nisma në Kuvend

Mos i humb

Gjykata Supreme ka vendosur që mbi 3 mijë e 700 pako me fletëvotime të ardhura nga Serbia mos të jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Gjykata Supreme ka refuzuar të gjitha ankesat. përfshirë këtu të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, KDTP-së, PLE-së, PDA-së e PDS-së në PZAP i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia.

“Gjykata Supreme brenda afatit ligjor ka shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me gjitha ankesat e pranuara nga deputet të subjekteve politike. Gjykata Supreme ka pranuar 7 ankesa të deputetëve nga subjekte të ndryshme politike. Pas shqyrtimit nga ana e Kolegjit ankesa nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) është refuzuar, dy ankesa nga deputetë të Lëvizja Vetëvendosje-së (LVV) janë refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDA) është refuzuar dhe Ankesa nga deputetë të Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e pa-lejuar”, thuhet në përgjigjen për media, raporton Koha.net.

Kësisoj, Nisma Socialdemokrate pritet të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve veçse ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Pritet që rinumërimi e certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zgjasë deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë.

Kujtojmë se ndryshimi që prodhoi anulimi i votave nga Serbia në mandatet e partive politike ka rikthyer akuzat mes subjekteve. Lëvizja Vetëvendosje, së cilës iu hoqën tre deputetë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është kritikuar se me ankesën e ushtruar në Gjykatën Supreme po ia bën avokatin Listës Serbe.

Nisma, e cila pritet të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se votat nga Serbia janë të kontrabanduara dhe të paligjshme. Nisma, gjithashtu ka thënë se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe se tentimi për t’i legjitimuar ato vetëm se u shërben matematikave hipokrite për të dëmtuar vullnetin e mbi 42.000 votuesve kosovarë.

Vlen të theksohet se meqë koalicioni i Nisma-AKR-PD përfundimisht e kalon pragun, PSD-ja mbetet pa përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë vendim, i bie se koalicioni NISMA-AKR-PD do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me Fatmir Limajn, Behxhet Pacollin, Endrit Shalën, Haxhi Shalën, Mirlinda Sopi Krasniqin dhe Albulena Balaj Halimajn.

Vetëvendosja do të ketë 3 deputetë më pak, LDK do të ketë 1 deputet më pak, PDK do të ketë 1 deputet më pak dhe AAK-PSD 1 deputet më pak.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit