Tabaku i bashkohet protestës te Bregu i Lumit: Qeveria dhe bashkia të përballen me premtimet

Mos i humb

Deputetja e partisë Demokratike, Jorida Tabaku zgjodhi t’i bashkohet tubimit të banorëve të Bregut të Lumit ditën e sotme, të cilët protestojnë për prishjen e objekteve në kuadër të zhvillimit të projektit për zgjatimin e Bulevardit Zogu i Parë.

Duke rikujtuar edhe njëherë 8 Dhjetorin, “ditën simbol të demokracisë”, siç e quajti ajo, Tabaku bëri thirrje që qeveria dhe deputetët të dëgjojnë kërkesat e këtyre banorëve.

Një apel deputetja e PD-së e pati edhe për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, të cilit i kërkoi të mos fshihet, por të vijë e të ballafaqohet me premtimet që u ka bërë këtyre banorëve.

Deklarata e plotë e deputetes së PD-së, në protestën e banorëve të Bregut të Lumit, që preken nga projekti i Bulevardit të Ri.

Sot në Ditën e Rinisë, në ditën simbol të 8 dhjetorit, në ditën simbol të demokracisë, këta njerëz vazhdojnë të protestojnë edhe pas 28 vitesh për një të drejtë themelore që është e drejta e pronës.

I bëj thirrje edhe njëherë qeverisë që të vijë të dëgjojë kërkesat e tyre të ligjshme. U bëj thirrje të gjithë atyre deputetëve të Partisë Socialiste që kanë ardhur dhe ju kanë premtuar se do ta vlerësojnë pronën e tyre.

I bëj thirrje kryetarit të bashkisë të mos fshihet, por të vijë të ballafaqohet këtu me premtimet e tij. Këta njerëz, ashtu si unë, ashtu si Partia Demokratike, besoj ashtu si kryetari i bashkisë, duan që të vazhdojë të zhvillohet qyteti, por jo në kurriz të pronës së tyre.

Këta njerëz duan që djersa dhe kontributi I tyre të vlerësohet. Këta fëmijë janë sot pasdite këtu, në këtë ditë të ftohtë dhjetori, ditë e shtunë, ndoshta duhet të ishin duke luajtur si gjithë moshatarët e tyre, por kanë ardhur të protestojnë për shtëpitë e tyre.

Ditën e hënë ne do të jemi prapë këtu përsëri në orën 4. I bëjmë thirrje kryetarit të bashkisë që të sjellë përfaqësues, të vazhdojmë procesin e vlerësimit të banesave, të nxjerrim VKM-në, dhe të trajtohen ashtu si 200 familjet e tjera, që janë trajtuar që nga fillimi i Bulevardit.

Këta banorë do të vazhdojnë të protestojnë deri kur prona e tyre të jetë e mbrojtur. Unë ju siguroj mbështetjen time, të kolegëve të mi që janë sot këtu, dhe do jemi me ta, çdo ditë, derisa e drejta e tyre të fitojë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit