TË IMITOSH PROFETIN A.S. PA E KUPTUAR ATË, PËR TË ARRITUR SUKSES NË DYNJA

Mos i humb

Çdo mysliman përpiqet ta imitojë Profetin Muhamed a.s. në jetën e tij. Për çështjet e adhurimit dhe të moralit normalisht duhet imituar ai. Por ka disa aspekte të tij të cilat ne përpiqemi ti imitojmë, për të arritur qëllime dynjaje, por fatkeqësisht pa e kuptuar atë.

Çdo njeri, mysliman apo jo, habitet me mënyrën se si Profeti Muhamed a.s. arriti për një kohë të shkurtër të depërtonte në zemrat e njerëzve, ti edukonte dhe ti bashkonte ata. Pas vdekjes së tij, myslimanët për një kohë të shkurtër arritën që të mposhtnin dy superfuqitë e asaj kohe. Të impresionuar nga kjo arritje myslimanët përpiqen ta imitojnë atë që bëri Profeti a.s. duke shpresuar të arrijnë atë sukses që arriti ai, por kjo në aspektin e jetës së kesaj bote. Mirëpo fatkeqësisht dështojnë. Kjo pasi nuk e kuptojnë si duhet filozofinë e Sijerit të tij, por bazohen thjesht në imitim. Është njëlloj si të përpiqesh të mbrohesh sot në një luftë nga pushtuesit duke përdorur strategjinë e luftës së Hendekut, duke hapur kanale të mëdhenj, të presësh fitore sepse kjo ishte strategjia e Profetit dhe ai me atë strategji pati sukses.

Për të kuptuar më mirë filozofinë e Sijerit duhet të kemi parasysh dy fakte:
1. Suksesi i Profetit Muhamed a.s. nuk erdhi vetëm si rezultat i veprimeve të tij, por edhe të pozicionit gjeografik, gjeopolitik dhe gjeostrategjik ku ai erdhi. Ai ishte qyteti i Mekes. Sipas studjuesit të mirëfilltë të Sijerit Prof. Dr. Muhamed Hamidullah, nëse Profeti a.s. do kishte ardhur në një vend apo shtet tjeter në atë kohë kur i erdhi shpallja nuk do të kishte pasur të njejtin sukses. Në librin e tij Profeti Islam, i përkthyer edhe në shqip, mund të lexohen arsyet sipas tij.
2. Profeti Muhamed a.s. ishte i Derguari i Allahut. Vecoria e Profetëve është se Zoti për të vërtetuar se ata janë Profetë, i ndihmon ata me mrekulli. Pikërisht edhe suksesi i tij përfaqëson një mrekulli të tij.

Ku gabojmë ne si myslimanë, megjithëse përpiqemi ta imitojmë Profetin a.s. dhe përsëri nuk kemi sukses si ai?
Përgjigja qëndron pikërisht në keqformulimin e pyetjes. Kjo pasi vendosim veten tonë në vendin e Profetit Muhamed a.s.. E bëri ai, arriti sukses; e bëj unë skam sukses. Harrojmë se ne nuk jemi Profetë, por njerëz të thjeshtë. Kur vendosim veten tonë në vendin e gabuar, çfarë pretendojmë të arrijmë?
E dyta, “historia njerëzore” është tekanjose. Jo çdo njeriu apo populli që përpiqet i jep sukses.
E treta, moskuptimi, mosdhënia rëndësi e shkaqeve dhe mosformulimi i strategjive sipas kushteve të kohës. Në këtë pikë ja vlen të shtjellohet.
1. Kur shikojmë jetën e Profetit a.s vërejmë se ai e nisi davetin i vetëm, filluan besimtarët e parë, po kështu edhe kundërshtimet e para, ndërkohë që besimtarët shtoheshin, shtoheshin edhe persekutimet. Por ai duroi deri sa erdhi momenti i hixhretit dhe aty filloi të ndërtohej çdo gjë. U bënë edhe luftëra, por ai triumfoi dhe Islami u perhap. Gabimi i parë është pikërisht ky, duke bashkangjitur arsyet që përmendëm më lart. Persekutimi për arsye fetare nuk është gjithmonë treguesi se pas një farë kohe do arrish sukses.
2. Profeti a.s. pati kundërshtar të cilët e torturuan, persekutuan dhe luftuan atë. Por në fund ai triumfoi. Gabimi i dytë që bëjmë është dhe ky. Një mysliman i ri që kërkon të arrijë disa qëllime politike dhe fatare, kur has kundërshtime nga njerëzit përreth tij, edhe këta myslimanë, fillon të shpiki armiq imagjinar, të krijojë mushrikë, të devijuar etj. Mirëpo harron se këta janë myslimanë si ai, jo Ebu Xhehila si në kohën e Profetit.
3. Mes myslimanëve është përhapur mendimi se arsyeja e dobësisë së myslimanëve është për arsye se ata janë shkëputur nga feja e tyre. Nëse ata do ta jetojnë fenë si duhet, ashtu si e jetoi Profeti dhe sahabët ne do të kemi të njejtin sukses si ata. Ky koncept nuk është plotësisht i saktë, pasi arsyet e suksesit të myslimanëve nuk ishin thjesht fetare. Edhe ato të dobësimit gjithashtu. Prandaj ne shikojmë myslimanë që imitojnë Profetin në veshje duke u veshur me shallvare, xhybe, takije dhe tespih, falen e agjërojnë, bëjnë bamirësi sa munden dhe me këtë fetarizëm presin që tani të jenë të suksesshëm. Madje habiten se përse ende nuk janë të suksesshëm edhe pasi i kanë bërë të gjitha këto dhe për këtë akuzojnë njeri tjetrin, se të tjerët nuk e jetojnë si duhet fenë. Prandaj edhe të tjerët duhet ta jetojnë fenë si duhet si ata, që këta dhe të tjerët të arrijnë suksesin në botë.
4. Profeti a.s. e nisi davetin me disa besimtarë, u bë një grup, nga grupi kaloi u bë qytet, nga qyteti në shtet. Ky është një gabim tjetër që bëjnë. Profeti a.s. formoi fillimisht një grup, por ky grup u rrit natyrshëm dhe përballë kishte mushrikët dhe të keqen. Myslimanët tani kur krijojnë një grup ecin me mendimin se grupi i tyre i formuar si ishull mes myslimanëve të tjerë do të shndërrohet në kontinent dhe do të sundojë botën.

Kështu të ndarë në kabile mendojmë se do sundojmë botën. Nëse do ecte do ishte gjysma e së keqes. Por ka dy shekuj që koha na tregon se nuk ecën. Kjo sepse suksesi nuk vjen vetëm nga imitimi por kuptimi i drejtë i thelbit të fesë.

Nga: Ledjan Cikalleshi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit