“Të kontrollohet banesa”, Gjykata “arrest me burg” në mungesë për Agim Kajmakun

Mos i humb

Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë Agim Kajmaku, ndaj të cilit një ditë më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin.

Po kështu mësohet se Gjykata ka urdhëruar kontrollin e banesës së Kajmakut, i cili është kryer tashmë për të gjetur prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës.

Policia ka shkuar në banesën e Kajmakut një ditë më parë për të kryer arrestimin por nuk e ka gjetur.

Kajmaku i zgjedhur kryetar i Bashkisë Vorë, u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi.

Prokuroria nisi hetimet për të dhe e akuzon për disa vepra penale si shpërdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal.

Akuza e fundit ka të bëjë me një vendim të Kajmakut. Mësohet se pas vendimit të KQZ, Kajmaku ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë, megjithëse edhe vetë ishte zyrtarisht i shkarkuar si titullar i bashkisë Vorë.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Agim Kajmaku është kryebashkiaku i dytë i PS, i zgjedhur më 30 qershor, që largohet nga detyra pas akuzave të opozitës, pasi i pari ishte Valdrin Pjetri i Shkodrës, i cili dha dorëheqjen pasi u akuzua nga opozita se ishte dënuar në Itali për trafik droge, ndërkohë që rrezikon arrestimin për shkak të shkeljes së ligjit të dekriminalizimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit