Të nxisim sa më tepër rimëkëmbjen e vlerave islame në mesin tonë!

Mos i humb

Hadithi i fisit Himjer, për të cilët Resulull-llahu (a.s.) u lut: “All-llahumme mëshiroje fisin Himjer…”, ka mësime të shumta, shpjegimi i të cilëve nuk soset dot me dy-tri derse! Mirëpo, ne na intereson të kuptojmë thelbin e tij dhe të lutemi që All-llahu i Madhëruar të na udhëzojë drejt cilësive për të cilat u përmendën në duanë e të Dërguarit (a.s.)!

Përveç dhënies së selamit dhe përhapjes së paqes, ata ndanin ushqim për të varfërit e nevojtarët, sikurse ishin njerëz të besës dhe besimit!

Sot, me mbarësinë e All-llahut, do të ndalemi pak tek besa!

Hadithi na mëson se ata ishin njerëz, nga dora dhe gjuha e të cilëve, njerëzit ishin të shpëtuar.

Në një hadith tjetër, Resulull-llahu (a.s.) thotë: “Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit janë të shpëtuar muslimanët!”.

Pra, Resulull-llahu (a.s.) nxit një shoqëri të sigurtë, ku çdo individ prej individëve të saj i garanton tjetrit se, nuk do të ketë të keqe nga dora dhe nga gjuha e tij!

Kjo do të thotë se, në shoqërinë tonë islame, muslimani nuk e shan muslimanin, nuk e përgojon atë, nuk përhap keq për të! Në shoqërinë tonë islame, muslimanit nuk i vjen keq nga dora e muslimanit! Në shoqërinë tonë islame, muslimani nuk e vjedh muslimanin! (Nuk vjedh as jomuslimanin, nuk vjedh asnjë njeri në botë, por këtu po fokusohemi tek tiparet e shoqërisë muslimane).

Lexova ditën e djeshme një thënie, që i atribuohet njërit prej dijetarëve të shquar muslimanë, të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Thotë: “Nëse do të pyetem se cila është mënyra më e mirë për t’ia shpjeguar Islamin perëndimorëve (jomuslimanëve në mesin e tyre), është t’i thuash atyre fillimisht se ne muslimanët, sot, nuk jemi korrektë me fenë tonë!”.

Pra, nëse kërkon për Islamin, mos shih shumë në veprat tona, se ne nuk jemi në rregull me fenë tonë!

Qëllimi i këtyre haditheve, që me mbarësinë e All-llahut të Madhëruar po shpjegojmë në këto mexhlise të sabahut, është të nxisim sa më tepër rimëkëmbjen e vlerave islame në mesin tonë; rimëkëmbjen e mësimeve të Pejgamberit (a.s.) në mesin tonë! E gjitha kjo, që muslimani të kuptojë sesa mirësi e madhe është udhëzimi në këtë fé të madhnueshme islame dhe se, sa e rëndësishme është për muslimanin që ta vendosë jetën e tij mbi shinat e mësimeve të Kur’anit dhe udhëzimet e Hz. Muhammedit (a.s.)!

(Nga Muhamed Sytari, dersi i sabahut, më 20 janar 2020, në xhaminë e Parrucës)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit