Tensionohet veriu i Kosovës. Serbët në protestë pas arrestimit të Gjuriçit

Mos i humb

Situata në veri të Kosovës ka marrë tone dramatike pas arrestimit të zyrtarit të lartë serb Marko Gjuriç, i cili, duke sfiduar hapur autoritetet kosovare, që ia ndaluan hyrjen në vend, kaloi ilegalisht në territorin kosovar e mori pjesë në një tubim, të shpërndarë më pas nga forcat e policisë.

Mediat kosovare thonë se serbët bllokuan disa rrugë në veri me makina e kamionë, një praktikë kjo aspak e re për ta. Një numër i madh serbësh u mblodhën në këto të ashtëquajtura “barrikada”. Rruga u bllokua në vendin e njohur si Rudarë në Zvecan, një pikë tejet e rëndësishme sepse lidh Prishtinën me kryqëzimin administrativ të Jarinjës. Gjuriç, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, u arrestua së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Presidentit Vuçiç, Nikola Selakoviç, pasi hynë në Mitrovicë edhe pse iu ishte ndaluar ta bënin një gjë të tillë.

Në përpjekje për t’i penguar hyrjen atyre, ministrit të Mbrojtjes Aleksander Vulin dhe atij të Kulturës, Policia e Kosovës dërgoi forca shtesë në veri. Argumenti i autoriteteve në Prishtinë ishte se në të kaluarën, ata nuk i janë përmbajtur udhëzimeve për të shmangur përdorimin e deklaratave nxitëse dhe gjuhën e urrejtjes.

Presidenti Thaçi vlerësoi se ndërhyrja e policisë ishte mëse e rregullt dhe në mbrojtje të qartë të rendit e të ligjit të Kosovës, ndërsa për Vuçiçin, njësitë e saj u sollën si banda terroriste. Kreu i shtetit serb mblodhi me urgjencë mbrëmjen e së hënës Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ku tha se thelbi i ndërhyrjes policore të hënën ishte të tregohej se “mund ta marrin veriun”.

Në Kosovë, nga ana tjetër, disa e shohin veprimin e zyrtarëve serbë si provokim të pastër. Ai erdhi pak ditë pas darkës së Presidentëve Thaçi-Vuçiç në Bruksel dhe vetëm pak orë pas pajtimit të Prishtinës zyrtare që të nisin angazhimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit