“Terroristët dhe trafikantët e qenieve njerëzore po përfitojnë nga konfliktet”

Mos i humb

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka theksuar se terroristët dhe trafikantët e qenieve njerëzore po përfitojnë nga kaosi në zonat e konfliktit.

Guterres, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), tha se grupet terroriste dhe trafikantët e qenieve njerëzore po abuzojnë ndaj civilëve të pafajshëm, vepra të cilat mund të jenë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Duke vënë në dukje se mjediset e konfliktit nxisin trafikimin e qenieve njerëzore, ai thotë se “Terroristët dhe trafikantët e qenieve njerëzore po përfitojnë nga mjediset e konfliktit, po fitojnë para nëpërmjet civilëve të pafajshëm.”

Ai ka shtuar se egërsia e grupeve terroriste si DEASH, Boko Haram, Al-Shabaab dhe Ushtria e Rezistencës së Zotit “nuk po njeh kufij”, ndërsa thekson se abuzimi seksual, puna e detyrueshme, skllavëria dhe marrja e organeve pa pëlqim janë “mjetet e tregtisë” së organizatave në fjalë. Guterres po ashtu thekson se skllavëria dhe trafikimi i njerëzve nuk kanë vend në shekullin e 21-të.

Pas fjalimit të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, anëtarët e këshillit, në mënyrë unanime miratuan një rezolutë, e cila dënon “me shprehjet më të fuqishme” shembujt e trafikimit të qenieve njerëzore.

Guterres është shprehur se videot e publikuara lidhur me pretendimet se emigrantët afrikanë në Libi po shiten si skllevër janë “të tmerrshme”, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të Libisë që të nisin hetimet për pretendimet në fjalë.

Duke vënë në dukje se kriminelët duhet të gjenden menjëherë dhe se duhet të dorëzohen përpara drejtësisë, ai ka shtuar më tej se “Skllavëria nuk ka vend në botën tonë dhe këto pretendime të tmerrshme për të drejtat e njeriut përbëjnë krim kundër njerëzimit.”

-Guterres thirrje popullit të Zimbabves për qetësi

Në anën tjetër zv/zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq, pas dorëheqjes së presidentit Robert Mugabe, i bëri thirrje popullit të Zimbabves “për vetëpërmbajtje dhe qetësi.”

“Sekretari i përgjithshëm dhe paraardhësit e tij njoftuan se presim nga të gjithë liderët që t’i dëgjojnë popujt e tyre. Ky është gurthemeli i çdo lloj qeverisjeje dhe duhet të ndiqet në çdo kontinent dhe në çdo shtet”, tha Haq.

Presidenti i Zimbabves, Mugabe, një javë pas ndërhyrjes ushtarake njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit