Thaçi e Haradinaj krijojnë strukturat e reja për AKS-në në Kosovë

Mos i humb

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se draftimi i statutit të Asociacionit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga tre mekanizma punuese si ai i ekipit menaxhues, komitetit zbatues si dhe Grupit nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.

“Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike. Drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu theksohet se Kosova me këtë hap përmbushë edhe një obligim ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike.

Ndryshe, më 19 prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën “Marrëveshjen e parë mbi parimet qeverisëse për normalizim të marrëdhënieve”, në Bruksel.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit