Thaçi: Gjuriç ka hyrë në Kosovë një ditë para arrestimit të tij

Mos i humb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, ka hyrë në Kosovë të dielën, një ditë para arrestimit të tij nga autoritetet kosovare.

Gjatë konferencës së sotme për media, ndër të tjera Thaçi foli edhe për zhvillimet që ndodhën me ardhjen e Gjuriçit në Kosovë.

Presidenti Thaçi njoftoi se për hyrjen e Gjuriçit në Kosovë është informuar nga një këshilltar i tij përderisa ishte në një takim me përfaqësuesit e shteteve të Quintit. Menjëherë pasi është informuar, tha ai, ka kërkuar nga autoritetet kompetente të merren të gjitha masat kushtetuese dhe ligjore.

“Pozicionimi dhe qëndrimi im ka qenë si president i vendit, jo urdhërues, por respektim i Kushtetutës dhe ligjeve. Por, në hulumtimin dhe shqyrtimin e rastit doli diçka tjetër, doli se Gjuriç ka hyrë të dielen në Kosovë. Ka kaluar natën në banesën e Milan Radojçiq dhe disa individëve të mekanizmave institucionale të Kosovës kanë qenë në dijeni të plotë të prezencës së tij në Kosovë. Ky është shqetësimi im, jo veprimi i Policisë. Kështu që do të shikohen të gjitha hallkat e funksionimit të mekanizmave të sigurisë. Policinë Kosova e ka më të mirën në rajon”, tha presidenti Thaçi.

Duke u shprehur se Gjuriç ka hyrë ilegalisht, Thaçi tha se shtrohet pyetja “pse ka ndodhur hyrja e tij një ditë përpara”.

“S’po flas për adresën ku ka qëndruar, e dini të gjithë. Ne realisht të hënën kemi planifikuar dhe kemi punuar për ndërmarrjen e hapave konkrete për funksionalizimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në takim edhe me kryeparlamentarin Veseli, edhe me kryeministrin Haradinaj. Dhe, kemi pasur një orientim të shëndoshë. Mirëpo, pikërisht kjo ka shqetësuar autoritetin në Beograd dhe e kanë dërguar Gjuriçin për të shkaktuar gjëra që neve na pengojnë dhe pastaj për të pretenduar se gjoja ata mund ta themelojnë asociacionin, mund të flasin për veri. Ne s’kemi nevojë të marrim veriun, se veriu është i Kosovës”, thotë Thaçi.

Kujtojmë se të hënën, kreu i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, u arrestua në veri të Mitrovicës ku kishte shkuar për të marrë pjesë në një debat për dialogun në Kosovë, përkundër asaj që Ministria e Jashtme e Kosovës nuk kishte dhënë leje për hyrjen e tij në Kosovë.

Pas arrestimit, Policia e Kosovës e dërgoi Gjuriçin në një stacion policor në Prishtinë dhe më pas të njëjtin e largoi nga territori i Republikës së Kosovës./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit