Thaçi: Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë demarkacionin

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se “ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi sot në Kuvendin e Kosovës do të thyej përgjithmonë izolimin e Kosovës”.

Presidenti Thaçi në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se vota për ratifikimin e demarkacionit “është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë” dhe ka ftuar të gjitha partitë që të respektojnë vullnetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, për të lëvizur të lirë.

“Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, shkruan Thaçi në postimin e tij.

Ai thekson se në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje.

“Prandaj, ftoj Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë. Le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend”, shkruan më tej presidenti Thaçi.

Kujtojmë se sot pritet të fillojë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku do të bëhet Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës.

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duhet të arrihen 2/3 e shumicës së Kuvendit, që nënkupton 80 vota nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit