Thellohet përçarja mes partnerëve të koalicionit

Mos i humb

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina ka bërë që krerët e partive në pushtet “të cakërrohen” mes vete.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj po insiston në mossuspendim të taksës, lideri i PDK-së Kadri Veseli ka paralajmëruar rrëzimin e mundshëm të qeverisë aktuale.

Përplasja mes partnerëve të koalicionit qeverisës ka nisur të thellohet ditëve të fundit. Kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli nuk kanë kursyer pa thumbuar njëri-tjetrin as në përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Shkak i tërë kësaj është bërë taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, për të cilën çështje dy krerët e koalicionit po vazhdojnë të kenë qëndrime krejtësisht të kundërta.

Përderisa Veseli po kërkon pezullimin e tarifës, Haradinaj nuk po heq dorë së këmbënguluri në moslargimin e kësaj mase. Si rrjedhojë, i pari i PDK-së para dy ditësh ia përmendi kryeministrit rrëzimin e Qeverisë, timonin e së cilës e mban Haradinaj.

Ndonëse sipas tij kjo nuk do të ndodhë për shkak të taksës, Veseli deklaroi se rrëzimi i Qeverisë mund të ngjajë për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës, shkruan Zeri.

Pas këtij paralajmërimi u raportua se kreu i ekzekutivit ka lëshuar një deklaratë ofenduese në drejtim të Veselit teksa ka dalë nga salla ku mbahej seanca.

Megjithëkëtë, i pyetur se kujt i ishte drejtuar në atë formë, Haradinaj gjatë ditës së djeshme tha se nuk i kujtohet asgjë rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, se aktualisht ka mosmarrëveshje mes koalicionit e pranojnë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të koalicionit, PDK-së e AAK-së. Ndonëse thonë se nuk është koha për të shkuar në zgjedhje, ata pohojnë se janë të gatshëm të hyjnë në një proces zgjedhor kurdo që të vijë koha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit