TIKA organizoi modulin e fundit për edukim special në Prishtinë

Mos i humb

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) Zyra Koordinuese në Prishtinë së bashku me akademikët dhe ekspertët e fushës së autizmit nga Turqia organizuan modulin e katërt (të fundit), në Prishtinë të seminarit për Edukim Special.

Nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë (ANAK), që është partner i këtyre trajnimeve, Laura Lutfiu – Hoxha, duke falënderuar TIKA-n, tha se në Kosovë ligjërata të tilla duhet të ishin të zakonshme, por nuk po ndodhin shpesh.

Në të njëjtën kohë, Lutfiu-Hoxha tha se problemi me autizëm gjithashtu duhet të pranohet nga shoqëria dhe të trajtohet. Për trajtimin e kësaj kategorie, vet ajo tha se ka pasur shumë vështirësi për ta mbajtur në ekzistencë organizatën që udhëheq.

“Ende kemi vështirësi të përditshme që të sigurojmë vazhdimësinë e punës dhe kushtet minimale për punën e stafit, fëmijëve dhe prindërve. Mirëpo, jemi duke vazhduar me vullnetin e njëjtë. Pse? Sepse, vetë themelimi i organizatës, i ANAK-ut, nuk është një qëllim në vetvete, mirëpo, ajo është themeluar dhe ekziston vetëm që t’iu shërbejë fëmijëve me autizëm dhe familjeve të tyre. Nëse nuk arrijmë që të jemi një mjet i dobishëm për këtë qëllim, nuk ka arsye që të ekzistojmë. Kjo edhe duhet të jetë parimi kryesor i secilit këtu”, tha Lutfiu-Hoxha.

Zëvendës-koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Zeki Bulduk, u tha studentëve dhe mësuesve se puna e tyre me persona me autizëm e sindromin Down është një punë me më shumë vlerë se sa punimi i arit (floririt).

“Ky program nuk përfundon këtu, edhe vitin e ardhshëm do të kemi trajnime të tjera për certifikimin e zbatueshmërisë dhe në këtë drejtim punimet tona do të vazhdojnë. Bashkë me këtë, bashkë me komunat dhe institucionet e interesuara jemi duke përfunduar planifikimin e Qendrës së Autizmit dhe Sindromës Down. Dhe, në lidhje me këtë do të dëgjoni lajme të mira”, tha Bulduk, i cili i lajmëroi studentët të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha modulet, se do të pajisen me certifikata në javën e dytë të qershorit.

Në këtë modul u ligjërua për dy tema nga profesorët që erdhën nga Turqia në këtë seminar. Për “Zhvillimin Seksual dhe Edukimin Seksual”, ligjëruar nga profesoresha e Universitetit Anadollu – Ayten Duzkantar si dhe temën “Teoria e Mendjes”, ligjëruar nga profesoresha e Universitetit Hasan Kalyoncu – Funda Acarlar.

Ky ka qenë moduli i katërt dhe i fundit në kuadër të trajnimit për edukimin special, i cili synon informimin dhe vetëdijësimin e aktorëve relevantë mbi autizmin dhe sindromën Down. Në këtë tubim morën pjesë qindra studentë të Universitetit të Prishtinës, ligjërues, si dhe të interesuar nga të gjitha komunat e Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit